Specialistët e Krimeve kanë sekuestruar serverat e rreth 30 kamerave sigurie të cilat pritet të zbardhin itinerarin e autorëve të vrasjes së Bardhok Pllanajt.

Pamjet filmike janë marrë në dispozicion në aksin rrugor nga rrethrrotullimi i Dobraçit deri tek rrethrrotullimi i 5 Heronjve te Vigut, vend që kanë kaluar autorët dhe është kryer ekzekutimi, por dhe në spitalin e Shkodrës.

Në bazë këqyrjes së kamerave hetuesit kanë verifikuar një automjet që dyshohet se ka ndjekur lëvizjet e 46-vjeçarit Pllanajt. Identifikimi i autorëve është i vështirë për shkak të errësirës, megjithatë shpresa është tek filmimet e kamerave të bizneseve dhe banesave në katet e dyta.

Përveç të afërmeve dhe dëshmitarëve në vendngjarje policia nuk ka shoqëruar persona të tjerë, ndërsa familjarët pritet të pyeten sërish për konfliktet që mund të ketë patur Pllanaj në të kaluarën. Telefoni celular i viktimës ende nuk është hapur nga hetuesit pasi rezulton të ketë mbrojtje të veçantë, ndërsa celulari tjetër është dëmtuar.

Deri më tani hetuesit dyshojnë të kenë marrë pjesë 4 persona për vrasjen e Pllanit, ndërsa ekzekutorët dyshohet të jenë vrasës me pagesë.

Prokuroria është duke kryer verifikime për mënyrën sesi është liruar 2 herë Pllanaj nga burgu, pasi nga spitali i Shkodrës është dhënë tjetër diagnozë, ndërsa nga Tirana një tjetër.

Në herën e parë mjekët në Shkodër mjekët kanë dhënë raport mjekësor me argumentimin se vuan nga diabeti i lartë dhe me zemër kurse mjekët në Tiranë, pas arrestimit të dytë, kanë argumentuar se ai vuan nga dhimbje të forta koke që i shkaktonin vështirësi në të folur dhe çrregullim të ekuilibrit.