TIRANË- Dy persona janë arrestuar në Tiranë pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi kokaine dhe një armë zjarri pistoletë. Policia thotë se arrestimi i tyre është kryer në zonën e Ish-Bllokut në kryeqytet, ndërkohë kanë nisur hetimet për të zbardhur veprimtarinë e tyre.

Njoftimi i Policisë: 

Me armë zjarri pistoletë dhe kokainë, në automjet, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, krehri me municion luftarak dhe një sasi kokaine. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për dy shtetas që lëviznin me armë zjarri në automjet, në zonën e Ish-bllokut, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Double”.

Gjatë operacionit, në rrugën “Brigada 8”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. Xh. dhe pasagjer shtetasin E. T. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë, me 1 krehër me municion luftarak, si dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit E. Xh., 39 vjeç dhe E. T., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë, dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re