Një sasi medikamentesh dhe testesh të shpejta për koronavirusin u sekuestruan këtë të enjte në Durrës. Në operacionin policor të koduar “Porosia”, efektivët kanë ndaluar në lagjen nr.13 të qytetit bregdetar një mjet furgon tip “Mercedes Benz”.

Gjatë kontrollit në këtë mjet janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të ndryshme mjekësore, kamera sigurie dhe Rapid Test Antigen, njofton policia.

Hetimet kanë zbuluar dhe dy doganierë, si të përfshirë në kontrabandën e këtyre produkteve. 58 vjeçari A.T dhe 52-vjeçari E.Sh dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollin e imtësishëm të mjetit ku u gjetën mallrat kontrabandë.

Katër të dyshuarit do të hetohen më tej nga Prokuroria e Durrësit për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra të licencuara” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re