Një sasi mallrash kontrabandë nga Turqia me vlerë 300 mijë euro janë bllokuar nga antikontrabanda e doganës së Tiranës. Mallrat e bllokuara janë rroba “firmato” që kryesisht mbajnë etiketën e firmës ‘Gucci’, por që janë të falsifikuara. Mësohet se ato janë porositur nga disa tregtarë në Tiranë. Kamioni me mallra nga Turqia ka kaluar nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës, nga e cila kanë kaluar lirisht.
Pasi kamioni ka mbërritur në Tiranë, antikontrabanda brenda doganës së kryeqytetit ka zbuluar se pjesa më e madhe e mallrave ishin të padeklaruara. Firma i kishte deklaruar mallrat me vlerë 30 mijë euro, ndërkohë që paraprakisht vlera e tyre arrinte në 300 mijë euro. Pas procedurave nga ana e autoriteteve doganore, mallrat janë sekuestruar, ndërsa është ndaluar edhe shoferi i kamionit.