Një velierë e përdorur për transportin e drogës është kapur në ujërat e Atlantikut nga autoritetet spanjolle, ndërsa në bordin e saj janë sekuestruar më shumë se 2 tonë kokainë. Në mesin e katër anëtarëve të ekuipazhit të arrestuar dyshohet se ndodhet edhe një shtetas shqiptar.
Sipas mediave të huaja, operacioni është zhvilluar nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore në Spanjë, i cili ka lokalizuar velierën në det të hapur pas një hetimi që dyshohet se ka nisur në Katalonjë. Anija pritet të dërgohet në portin e Vigos.
Katër anëtarët e ekuipazhit, me kombësi të ndryshme, janë arrestuar gjatë operacionit. Përveç shtetasit shqiptar, të paktën dy prej tyre dyshohet se janë me origjinë nga Amerika e Jugut.
Veliera u tërhoq drejt gjirit të Vigos nga anija “Petrel I”, në pronësi të Shërbimit të Agjencisë Tatimore spanjolle. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur pikën e saktë ku u krye kapja e mjetit lundrues.
Hetimi vijon për të zbardhur origjinën e ngarkesës së drogës dhe rrjetin kriminal që qëndron pas transportit të saj. Deri më tani, autoritetet spanjolle nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi operacionin.
“Narko-veliera” e dytë e kapur këtë verë
Kjo është veliera e dytë e përdorur për transportin e kokainës që kapet nga “Petrel” gjatë kësaj vere.
Në muajin qershor, në një operacion të përbashkët ku morën pjesë doganat franceze, DEA amerikane, NCA britanike dhe Frontex, u kap pranë Ishujve Kanarie një tjetër velierë me rreth 500 kilogramë kokainë të fshehur në kabinat e saj.
Operacioni u koordinua në Spanjë nga Qendra e Inteligjencës kundër Krimit të Organizuar, ndërsa veliera u kap nga patrulluesja e Mbikëqyrjes Doganore.
Tre tonë kokainë të sekuestruara vetëm në gusht
Autoritetet spanjolle kanë intensifikuar operacionet kundër narkotrafikut në Galicia. Vetëm gjatë muajit gusht, në dy operacione të zhvilluara në Muxía dhe A Pobra do Caramiñal, u sekuestruan gjithsej rreth 3 tonë kokainë.
Transportimi i fundit i një ngarkese droge me velierë drejt portit të Vigos ishte regjistruar dy vjet më parë.
Në atë rast, anija “Petrel” transportoi drejt terminalit të Vigos rreth 200 kilogramë kokainë, së bashku me anëtarët e ekuipazhit të arrestuar. Gjatë ndërhyrjes, veliera “Assahio” pësoi dëmtime dhe përfundoi pjesërisht e fundosur në det të hapur.
Velierat, një tjetër rrugë për futjen e kokainës në Evropë
Autoritetet spanjolle kanë zbuluar prej vitesh përdorimin e velierave nga organizatat kriminale për transportimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
