Perimet me gjethe jeshile, peshku, bishtajat dhe vaji i ullirit nuk duhet të mungojnë në dietën e të moshuarve, për të mbrojtur trurin e tyre nga plakja.
Sipas një studimi më të ri, të botuar në Neurology, pjesëmarrësit që ndoqën dy dieta të ndryshme, dietën mesdhetare dhe atë Mind, treguan më pak grumbullim të pllakave në tru, një tipar i zakonshëm i sëmundjes së Alzheimerit.
Rezultatet ishin veçanërisht domethënëse, pasi u vu re se truri i pjesëmarrësve që ndoqën këto modele të të ngrënit ishte deri në 18 vjet më i ri.

Si dieta mesdhetare, ashtu edhe dieta Mind kanë një lidhje me dobësimin më të ngadaltë të sistemit njohës dhe ulin rrezikun e prekjes nga Alzheimer.
Në fakt, sipas studimit disa ushqime dalloheshin për vetitë e tyre. Për shembull, konsumi më i lartë i perimeve me gjethe jeshile të paktën shtatë racione në javë i shpëtoi deri në 19 vjet plakjes së trurit në krahasim me bashkëmoshatarët që hanin jo më shumë se një racion në javë.

Ku ndryshojnë dy dietat?
Dieta tradicionale mesdhetare, e cila njihet për një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru është përgjithësisht e lartë në peshk, vaj ulliri, perime, fruta, fasule, arra dhe drithëra të pasura me fibra.

Dieta Mind ruan disa tipare të përbashkëta, por theksin e vendos te manaferrat, perimet, zarzavatet dhe frutat.
Të dyja dietat, sipas studiuesve të Universitetit Rush, janë të pasura me ushqime bimore, të cilat përmbajnë një sërë lëndësh ushqyese dhe kimikate që mund të shtypin inflamacionin në trup dhe të mbrojnë qelizat nga dëmtimi. Prandaj, të dyja përjashtojnë mishin e kuq, sheqerin dhe ushqimet e përpunuara./K.C/dritare.net
 
/shkollaeshendetit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re