Një sëmundje e rrallë, e cila ende i prek njerëzit në ditët e sotme, është gjetur në fosilet e disa dinozaurëve që kanë ekzistuar 66 miliona vite më parë.

Studiuesit nga Universiteti Tel Aviv kanë vënë re kavitete të pazakonta në dy segmente të shtyllës kurrizore të dinozaurëve, fosilet e të cilëve mbahen në Parkin Provincial të Dinozaurëve në Alberta të Kanadasë. Në këto segmente janë vërejtur shenja të ngjashme me një lloj tumori që i prek edhe sot njerëzit.

“Sëmundja e diagnostikuar tek këta njerëz është e komplikuar, dhe në disa raste sëmundjet e njëjta lënë shenja të ngjashme në eshtra, sidoqoftë ato kanë një ngjashmëri me disa shenja të gjetura tek dinozaurët”, tha Hila May, udhëheqëse e Laboratorit të Biohistorisë dhe Mjekësisë Evolucionare.

“Kjo është hera e parë që kjo sëmundje është identifikuar në një dinozaur”, shtoi ajo.

Ky lloj tumori, që është parë i ngjashëm edhe tek dinozaurët, zakonisht prek djemtë e moshës 2 deri në 10 vjeç. Fatmirësisht, kjo sëmundje që prek eshtrat në të shumtën e rasteve mund të zhduket vet, pa pasur nevojë për ndërhyrje.

Autorët e këtij studimi janë shprehur se studimi i sëmundjeve tek mbetjet e dinozaurëve është një fushë shumë e vështirë dhe e komplikuar. Më herët janë identifikuar shumë infeksione dhe sëmundje të tjera, mirëpo është hera e parë që janë zbuluar shenja të tumorit tek këto fosile.

Këto gjetje janë si pikënisje e mirë për zhvillimin e mjekësisë evolucionare, një fushe e re e hulumtimeve që analizon zhvillimin e sëmundjeve që nga kohët e lashta deri sot. /

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re