Pediatrja shqiptare, Valbona Selimaj-Kontoni, e cila jeton dhe punon prej 6 vitesh në klinikën ‘Saint Jean’ Bruksel, në një intervistë ekskluzive për “Diaspora Shqiptare” karakterin dhe pasojat e sëmundjes Kaëasaki, që duket se po shoqëron një numër fëmijësh me koronavirus, si dhe ndalet tek mënyra se si prindërit mund të orientohen për identifikimin e kësaj sëmundjeje.

E diplomuar në  Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 2003, Valbona Selimaj përfundon studimet master në Shëndet Publik në Universitetin e Lirë të Brukselit në 2005. Pas një eksperince me ‘Mjekë pa Kufi’ në Athinë rikthehet në Bruksel, ku kryen specializimin për Pediatri. Dr Selimaj gjithashtu ka kryer specializime për Nutricion Klinik dhe Infeksiologji, Mikrobiologji Klinike, si dhe për Infeksiologji Pediatrike në Universitetin e Oksfordit.

Sipas saj, sëmundja Kaëasaki është një ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve të “fituara” të zemrës tek fëmijët. Shenjat klinike dhe epidemiologjike të kësaj sëmundjeje sugjerojnë për një etiologji infeksioze, por shkaku ngelet i panjohur akoma.

Sëmundja Kaëasaki është një vaskulit, domethënë një inflamacion i enëve të gjakut, që mund të shkaktojë një zgjerim të arterieve koronare (arterieve që ushqejnë zemrën) nëse nuk trajtohet në kohë. Sëmundja Kaëasaki u emërua pas mjekut japonez Tomisaku Kaëasaki, i cili ishte i pari që përshkroi karakteristikat e sëmundjes tek fëmijët në Japoni në vitet 1960.

Kur sëmundja njihet dhe trajtohet në kohë, fëmijët kanë një evolucion shumë favorizues, dhe shumica dërrmuese shërohen plotësisht. Nëse sëmundja nuk njihet dhe trajtohet në kohë, dhe inflamacioni zgjat,  arteriet koronare zgjerohen dhe fëmija mund të ketë probleme kardiake të rënda, si: tromboza, infarkt miokardi,  insuficiencë kardiake e mund të rrezikojë jetën.

Origjina e sëmundjes Kaëasaki (mos të harrojmë se njihet që në vitin 1960) nuk është e qartë pavarësisht nga studimet e shumta. Disa popullata, siç janë pacientët aziatikë kanë një tendencë më të madhe për t’u sëmurur nga kjo patologji. Rreth 80% e fëmijëve të prekur janë 3 muaj-5 vjeç. Ka shumë hipoteza se sëmundja Kaëasaki (SK) vjen pas një infeksioni që mund të jetë një/ose disa viruse a mikrobe. Gjatë fazës akute të SK shumë qeliza inflamatore pushtojnë shtresat e arterieve me diametër të mesëm- sidomos arteriet koronare. Me pas, nëse inflamacioni nuk ndalohet, muret e arterieve  koronare mund të zgjerohen dhe të humbasin plotësisht funksionin e tyre –pohon mjekja shqiptare.

Që nga fundi i muajit prill komuniteti mjekësor në vende të ndryshme perëndimore ka komunikuar rritjen e rasteve të rënda të fëmijëve me simptoma shoku toksik, të përziera me shenja klinike të sëmundjes Kaëasaki. Ky entitet përkohësisht u emërua si sindroma Inflamatore Multisistemike Pediatrike (SIMP) e lidhur me infeksionin nga SARS-CoV2. Deri më sot në Europë janë raportuar rreth 230 raste fëmijësh të prekur.

Nga të gjitha këto raste kanë ndodhur 3 fatalitete. Duhet të qartësojmë se lidhja shkak-pasojë mes SARS-CoV-2 (korona-virusit) dhe SIMP-it akoma nuk është vërtetuar dhe shenjat e infeksionit me SARS-CoV-2 nuk janë  gjetur tek të gjithë pacientët. Tek disa fëmijë është parë që kanë qenë të infektuar paraprakisht.

E pyetur sesi mund të orientohen prindërit për identifikimin e kësaj sëmundjeje, ajo thotë se “në radhë të parë duhet të jemi të qartë se kjo sëmundje është shumë e rrallë. Prindërit nuk duhet të alarmohen.

Zakonisht shenjat klinike më të shpeshta janë temperatura e lartë për më shumë se 5 ditë, konjuktivit (apo përflakja e syve), skuqje dhe çarje e buzëve dhe e gjuhës, skuqje e lëkurës, zmadhim i nyjave limfatike, enjte e duarve ose e këmbeve . Fëmija mund të prezantojë disa ose të gjitha shenjat e mësipërme. Fëmija nuk ndjehet mirë, dhe prindërit zakonisht e kuptojnë.

Prindërit duhet të kontaktojnë pediatrin trajtues ose mjekun e familjes nëse vërejnë këto shenja tek fëmija i tyre. Gjithsesi ky tekst ka karakter informues dhe prindërit duhet ta kuptojnë se jo çdo temperaturë me skuqje lëkure tek fëmija është shenje e sëmundjes Kaëasaki. Diagnoza bazohet në shumë elemente klinike në një ekzaminim të hollësishëm së bashku me analizat e pacientit .

Ankthi që ndjejnë prindërit është i kuptueshëm, duke pasur parasysh boshllëqet që kemi si komunitet mjekësor në lidhje me sëmundjen e re Covid-19.  Megjithatë, muajt e fundit, në çdo cep të globit, shkencëtarët po punojnë për të hedhur dritë mbi aspektet e ndryshme të kësaj sëmundje, siç janë parandalimi, trajtimi e kuptimi në thelb i ecurisë së saj. Sot ne kemi të dhëna të mjaftueshme që mund t’ju japin zemër prindërve  në lidhje me infeksionin nga koronavirusi tek fëmijët.

Të dhënat e raportuara  nga studimet e popullatave, si Islandës, Italisë, Kinës e Japonisë janë shumë inkurajuese në lidhje me rrezikun tek fëmijët për t’u infektuar. Deri tani mund të themi se fëmijët infektohen shumë më pak në krahasim me të rriturit, dhe janë shumë më tepër asimptomatikë. Duhet ta kemi parasysh se edhe gripi i thjeshtë sezonal ka një shtrirje shumë të lartë tek fëmijët. Sindroma Kaëasaki dhe sindroma Inflamatore Multisistemike Pediatrike e lidhur me SARS-CoV-2 janë manifestime shumë të rralla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re