Vijon që të zvarritet procesi i rivlerësimit për prokuroren Donika Prela, ish-kryetarja e Krimeve të Rënda. Në seancën e sotme ku dhe pritej që të jepej vendimi përfundimtar për Prelën, avokati i saj mbrojtës ka kërkuar shtyrjen e seancës, për shkak se prokurorja e kishte të pamundur që të ishte e pranishme vetë fizikisht, me pretendimin se ishte e sëmurë.

Avokati i saj ka paraqitur një raport dyjavor, ndërkohë që KPA vendosi që seanca e rashës për Prelën të ishte në datën 3 shtator, ora 10:00.

Donika Prela arriti të kalojë shkallën e parë të vetting-ut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), por Komisioneri Publik apeloi vendimin në KPA, duke kërkuar shkarkimin e saj. Gjatë seancës së kaluar në KPA, Prela kërkoi ndryshimin e trupës së saj gjykuese, me pretendimin se me dy prej tyre kishte konflikt interesi.

Prela kërkoi fillimisht përjashtimin e anëtares Ina Rama, duke pohuar se kishte pritur që kjo e fundit të reagonte vetë.

“Kam pritur që anëtarja e trupit gjykues, znj.Ina Rama të deklaronte gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit dhe të jepte dorëheqjen, pasi unë në cilësinë e prokurorit kam zhvilluar hetime në ngarkim të kushërirës së parë të znj.Rama, për veprën penale ‘falsifikim të dokumenteve shkollorë’ në vitin 2017,” tha Prela në KPA.

Prela shpjegoi më tej se kushërira e Ramës kishte qenë e punësuar si sekretare në Prokurorinë e Durrësit deri në vitin 2014, ndërsa në vonë në cilësinë e psikologes, duke paraqitur një diplomë të universitetit “Kristal”. Nga hetimet e kryera për rastin pas një kallëzimi penal, Prela tha se është verifikuar se diploma ishte e falsifikuar.

Prokurorja Prela shtoi më pas se ditët e fundit kishte konstatuar se gjendej në konflikt interesi edhe me Natasha Mulajn, kryesuesen e trupit gjykues që po shqyrton ankimin e Komisionerit kundër konfirmimit të saj.

Prela tha se po hetonte prej shkurtit 2020 dy vëllezërit e Mulajt, të cilët akuzohen sipas saj për shkatërrim prone dhe kanosje pas një konflikti pronësie. Ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda shpjegoi me detaje konfliktin ku janë përfshirë vëllezërit e Mulajt dhe i kërkoi kësaj të fundit që të jepte dorëheqjen, duke ndjekur të njëjtin precedent si në rastin e Artur Malajt.

Kolegji u tërhoq dhe vendosi që kërkesat e Prelës për përjashtimin e dy anëtareve do të shqyrtohen nga dy trupa të tjera gjykuese të KPA-së. Mulaj tha se shqyrtimi do të vazhdojë, ndërkohë që asaj dhe koleges Ina Rama u pezullohet e drejta për vendimarrje deri në shyqrtimin e kërkesave të përjashtimit. Pikërisht në këtë pikë duket të jetë edhe ngërçi në procesin e Prelës, që tashmë do të marrë edhe një muaj kohë, për të ditur vendimin ndaj saj.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re