Senatori 60-vjeçar nigerian Ike Ekweremadu u dënua me nëntë vjet e tetë muaj burg të premten nga një gjykatë në Londër për tentativën për të transplantuar veshkën e një të riu në vajzën e tij, pa dijeninë e kësaj të fundit.

Senatori, gruaja e tij Beatrice dhe një mjek që vepronte si ndërmjetës u shpallën fajtorë në mars për organizimin e transferimit të viktimës në Londër. Beatrice Ekweremadu u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg dhe mjekja Obina Obeta me 10 vjet burg.

21-vjeçari nga Lagos ishte një shitës ambulant dhe i ishte premtuar një punë në Britani.

Të tre të pandehurit përballeshin me burgim të përjetshëm. Ata u shpallën fajtorë sipas ligjit modern të punës britanike, hera e parë që ligji zbatohej në një rast transplantimi të paligjshëm.

“Ju të gjithë keni luajtur një rol në këtë tregti të dënueshme,” tha gjykatësi Jeremy Johnson në shpalljen e vendimit të tij, të cilin të pandehurit e dëgjuan të tronditur. “Tregtia e organeve njerëzore është një formë skllavërie. Njerëzit dhe organet e tyre trajtohen si mallra që mund të blihen dhe shiten,” komentoi ai.

Vajza e çiftit, Sonia 25-vjeçare, u shpall e pafajshme. Ajo ishte e pranishme në gjykatë dhe përshëndeti prindërit e saj nga distanca teksa policia i shoqëroi ata jashtë sallës së gjyqit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re