Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, deklaroi se Turqia nuk njeh dhe nuk do ta njohë aneksimin e Krimesë.

“Turqia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe tatarët e Krimesë në platforma dypalëshe dhe shumëpalëshe,” tha Şentop në fjalimin e tij në Samitin e Parë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, i cili po mbahet në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb.

“Besoj se me këtë samit parlamentar të Platformës së Krimesë, do të dërgojmë një mesazh të fortë që duam të përcjellim për çështjen e Krimesë dhe të forcojmë përpjekjet tona”, tha ai.

Şentop kujtoi se Turqia mbështeti krijimin e Platformës së Krimesë që në fillim.

“Baza e kësaj qasjeje është mbështetja e palëkundur e Turqisë për integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë dhe territoret e tjera të aneksuara”, tha ai.

Ai theksoi se Krimeja është atdheu i tatarëve të Krimesë.

“Përveç aspektit strategjik, historik dhe ekonomik, kjo çështje është e rëndësishme për ne edhe nga ky aspekt. Sepse, si të gjithë popujt e tjerë, tatarët e Krimesë meritojnë të jetojnë të lirë dhe të sigurt në atdheun e tyre. Turqia nuk e ka njohur dhe nuk do ta njohë aneksimin e Krimesë”, tha Şentop dhe shtoi:

“Siç e dini, Kombet e Bashkuara nuk mund të gjejnë zgjidhje për asnjë problem serioz dhe as nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë problem ekzistues. Kjo situatë është gjithashtu një tregues i qartë i nevojës për reforma në organizatat ndërkombëtare, gjë që Türkiye e thekson rregullisht me fjalët ‘Bota është më e madhe se pesë’”.

Zyrtarët turq në raste të ndryshme kanë theksuar se “bota është më e madhe se pesë”, duke iu referuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pesë anëtarëve të përhershëm (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina). Këto vende përdorën të drejtën e vetos në kushte të ndryshme për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare.

Şentop tha se lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re me vendimin për aneksimin e disa rajoneve që Rusia mori më 30 shtator.

“Turqia nuk e njeh aneksimin e Donetskut, Luhanskut, Zaporizhia dhe Kherson, siç është qëndrimi i saj edhe për Krimenë. Veprime të tilla janë të pavlefshme në sytë tanë. Ne hedhim poshtë veprime të tilla që janë kundër të drejtës ndërkombëtare”, tha Şentop.

Ai theksoi se dhjetëra mijëra ukrainas kanë vdekur në luftën që po vazhdon që nga 24 shkurti, miliona njerëz janë zhvendosur dhe shumë qytete ukrainase janë shkatërruar ndjeshëm.

“Lufta më së shumti ndikon në rajonin tonë. Përveç kësaj, kostoja e luftës në nivel global po rritet dita-ditës. Siç e theksojmë gjithmonë, në këtë luftë nuk do të ketë fitues”, tha kryeparlamentari turk.

Ai theksoi se Turqia i ka ofruar të gjitha llojet e mbështetjes materiale dhe morale Ukrainës që nga fillimi i luftës, por gjithashtu dëshiron që konfliktet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur me një paqe të drejtë të bazuar në integritetin territorial të Ukrainës.

“Ndërsa mbështesim luftën e drejtë të Ukrainës, bëjmë thirrje që diplomacia të mos bëhet kurban dhe të jemi të gatshëm që t’i japim fund këtij konflikti përmes diplomacisë kur ta lejojnë kushtet. Negociatat nuk nënkuptojnë lëshime. Është e mundur që arritjet në terren të kthehen në avantazhe në tryezë. Siç tha presidenti ynë, Türkiye do të vazhdojë me përpjekjet e ndërmjetësimit”, tha Şentop.

Ai edhe një herë tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e ligjit dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

“E drejta ndërkombëtare nuk është një rrjetë merimangash në të cilën shtetet që ndihen të forta mund ta shpërthejnë dhe të cilës shtetet e dobëta duhet t’i përmbahen. Nëse shtetet që e konsiderojnë veten të fortë nuk përmbahen nga hedhja e vendeve dhe popujve të tjerë në zjarr për interesat e tyre dhe zhytjes së botës në gjak dhe lot, atëherë nuk ka më të drejtë ndërkombëtare”, deklaroi kreu i parlamentit turk, duke shtuar në fund:

“Të gjithë fillojnë ta konsiderojnë të drejtën e tyre të shkelin ligjin aq sa i lejon fuqia e tyre. Paqja botërore dhe siguria ndërkombëtare janë të mundshme me ligje dhe respektimin e ligjit dhe rendit ndërkombëtar. Koncepti i ri i bazuar në barazinë sovrane të shteteve, fokusi i të cilit janë njerëzit, është i mundur dhe i domosdoshëm për paqen në botë. Kjo është zgjidhja e vetme”.

Në kryeqytetin e Kroacisë, Zagrebi, po mbahet Samitit i Parë Parlamentar i Platformës Ndërkombëtare të Krimesë më 24 dhe 25 tetor, në të cilin marrin pjesë delegacione nga 50 vende dhe institucione.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re