Në komunat veriore të vendit ku serbët po protestojnë qe disa ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

 

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.

 

Për dallim nga ditët e kaluara, gjatë natës së mbrëmshme në komunën e Zubin Potokut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që qëndruan për tre ditë me radhë në vijën e parë përballë protestuesve, janë zëvendësuar me ushtarë të KFOR-it, ndërsa policët ndodhen brenda objektit komunal.

 

Serbët kanë paralajmëruar  për sot nga ora 7:00 të mëngjesit protesta më masovike në këto komuna.

 

Ndërkaq, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal, raporton Kosova Press.

 

Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

 

Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

 

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re