Për të katërtën ditë radhazi, serbët në veri të Kosovës u mblodhën për të protestuar para komunës së Zveçanit dhe Leposaviçit, ku misioni i KFOR-it ka shtuar masat e sigurisë. Ndërkohë mësohet se 2 shqiptar janë sulmuar nga serbët në Mitrovicën e Veriut dhe janë dërguar menjëherë në spital.

 

Po ashtu, njerëz të ndryshëm bënë thirrje në rrjetet sociale për protesta edhe në Mitrovicën e jugut, pranë urës së Ibrit, në mbështetje të policisë së Kosovës.

 

Policia lokale, përmes një deklarate, kërkoi nga qytetarët që ta shpërfillnin këtë thirrje, pasi këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë në dëm të vetë banorëve të zonës dhe të interesave të Republikës së Kosovës.

 

Edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Zveçla, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, tha se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut janë të panevojshme, dhe se nuk e ndihmojnë në qetësimin e situatës.

 

“Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale. Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garanci e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit.” u shpreh Zveçla.

 

Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, theksoi se 700 trupat e parë paqeruajtës tashmë janë rrugës për në Kosovë, pas incidenteve të ditëve të fundit.

 

“NATO do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të krijuar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në prag të samitit të Ministrave të Jashtëm në Oslo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re