Serbia ka investuar rreth 5.3 milionë euro në shkollat serbe, por jo edhe në ato shqipe. Në shkollat ku vijojnë mësimin nxënësit shqiptar, pavarësisht gjendjes së rëndë, shteti serb nuk financon rikonstruktimin e objekteve.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu thotë se për këtë gjendje do t’i drejtohet me letër edhe kryeministrit Albin Kurti.
“Do t’i drejtohem kryeministrit Kurti, pasi që Serbia nuk e pranoi kërkesën për renovimin e shkollave në fjalë, unë do i drejtohem kryeministrit Kurti që në kuadër të fondit për Luginën, mjetet të shfrytëzohen për renovimin e këtyre shkollave
Lutfiu ka mirëpritur dhënien e 254 mijë eurove për Luginën e Preshevës nga Kosova për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2023-2024.
“Është një lajm jashtëzakonisht i mirë që është pranuar fillimisht kërkesa e Këshillit Kombëtar Shqiptar që të financohen tekstet për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore. Normalisht që kjo kërkesë është pritur mirë, jashtëzakonisht mirë, jo vetëm nga nxënësit të cilët janë në mënyrë të drejtpërdrejt përfitues, por edhe nga familjet e tyre për shkak që kjo ndihmon normalisht edhe ekonominë familje, për shkak që kosto për sigurimin e atij seti të librave nuk është edhe e ultë”
Megjithatë ka tekste që nuk lejohen nga Serbia për furnizim të nxënësve shqiptarë.
“Bëhet fjalë për librat që Ministria e Arsimit e ka dhënë lejen e përdorimit. Libra e historisë, muzikës që nuk e kanë marrë lejen e përdorimit, pra ato libra që kanë të bëjnë me identitetin tonë kombëtar ato normalisht që nuk përfshihen në këtë set dhe kjo fatkeqësisht shpresojmë që në të ardhmen të zgjidhet çështja edhe e këtyre librave”
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thekson se për shkak të uljes së numrit të nxënësve, në Serbi pritet bashkimi i disa shkollave.