Rritja e masave të sigurisë në veri të Kosovës ka vënë në alarm Beogradin. Pas drejtorit të zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç, edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç deklaroi se po shqyrtohet mundësia e dërgimit të trupave në Kosovë sipas kushteve të rezolutës 12-44 të Kombeve të Bashkuara.

 

ANA BRNABIÇ

KRYEMINISTRJA E SERBISË

 

Jemi shumë afër dhe besoj se sot presidenti Aleksandar Vuçiç do të japë më shumë informacion rreth takimeve të tij, për të kërkuar kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të OKB-së. Sepse KFOR-i nuk po e kryen punën e vet dhe sepse serbët në Kosovë nuk mund të ndihen të sigurt, aty rrezikohet jeta e tyre.

 

Sipas Brnabiç, Serbia do vetëm paqe, ndërsa Albin Kurti është ai që kërkon destabilizim.

 

I menjëhershëm ishte reagimi i Prishtinës zyrtare. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me anë të një statusi në rrjetet sociale tha se ka ikur koha e policëve dhe ushtarëve serb në Kosovë.

 

VJOSA OSMANI

PRESIDENTJA E KOSOVËS

 

Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999. Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!

 

Osmani ka dënuar edhe sulmin ndaj policisë dhe gazetarëve në Veri.

 

VJOSA OSMANI

PRESIDENTJA E KOSOVËS

 

Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë.

 

Nëse Serbia vendos të dërgojë trupat e saj të sigurisë në Kosovë, situata në veri mund të precipitojë në zhvillime të paparashikueshme, për shkak të përplasjeve të pritshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re