Palestina është bërë viktimë e ambicieve parazgjedhore të Trump, i tha Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) Saeb Erakat, pas informacionit se Serbia do të zhvendoste ambasadën e saj në Izrael nga Tel Aviv në Jeruzalem.

Ekipi i Presidentit Donald Trump “do të bëjë gjithçka për të siguruar rizgjedhjen e tij, pavarësisht nëse do të sjellë apo jo paqe”, shkroi zyrtari i lartë palestinez në Tëitter, duke aluduar në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara në vjeshtë, sipas AFP-së.

Para takimit me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës, të cilët diskutuan për normalizimin e marrëdhënieve në Uashington, Trump njoftoi se Serbia ishte zotuar të zhvendoste ambasadën e saj në Jeruzalem dhe se Kosova dhe Izraeli kishin rënë dakord të krijonin marrëdhënie diplomatike.

Presidenti amerikan tha të premten se Serbia do të bëhet kështu vendi i parë evropian që ndjek shembullin amerikan, një vendim që duhet të kënaqë elektoratin ungjillor të miliarderit republikan dy muaj para zgjedhjeve presidenciale të SHBA.

Në të njëjtën kohë, Kosova, një vend me një “shumicë myslimane”, ka rënë dakord të vendosë “lidhje diplomatike” me shtetin hebre, shtoi presidenti i SHBA.

“Bravo! Ju do të ndiqeni nga vendet e tjera myslimane dhe arabe,” shkroi ai në Twitter, duke theksuar se është “një ditë tjetër e madhe për paqen në Lindjen e Mesme”.

“Serbia është zotuar të hapë një mision tregtar në Jeruzalem sa më shpejt këtë muaj dhe të zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem deri në korrik, e cila aktualisht është në Tel Aviv, ku ndodhen misionet diplomatike të shumicës dërrmuese të vendeve,” tha presidenti i SHBA në një deklaratë.

Lajmi për zhvendosjen e ambasadës serbe në Jeruzalem vjen më pak se një muaj pas atij për marrëveshjen mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila gjithashtu u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara.

Elektorati i Trump

Ndërsa afrohen zgjedhjet e 3 nëntorit, miliarderi republikan nuk e fsheh faktin se dëshiron të kënaqë elektoratin ungjillor në këtë mënyrë.

Rrethi i tij po përpiqet të portretizojë marrëveshjen si një sukses të madh diplomatik për administratën e tij, pas një serie dështimesh të politikës së jashtme mbi Korenë e Veriut, Iranin, Venezuelën dhe paqen izraelito-palestineze.

“Kjo është hera e dytë në më pak se një muaj që Izraeli ka pajtuar dhe normalizuar lidhjet me vendin me shumicë myslimane”, tha këshilltari i tij i sigurisë kombëtare Robert O’Brien, duke e quajtur Trump një “paqebërës të vërtetë”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu menjëherë shprehu kënaqësinë me vendimin dhe theksoi se Serbia do të ishte “vendi i parë evropian” që ndjek shembullin e Shteteve të Bashkuara.

Ai falënderoi presidentin serb “për vendimin për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit”.

Serbia e mori vendimin pasi Shtetet e Bashkuara zhvendosën ambasadën në Qytetin e Shenjtë në maj 2018, duke shkelur konsensusin ndërkombëtar dhe duke zemëruar palestinezët, të cilët nuk duan që Uashingtoni të ndërmjetësojë në konfliktin e tyre me izraelitët. Guatemala gjithashtu ndoqi shembullin amerikan.

Statusi i Jeruzalemit është, në fakt, çështja më e ndjeshme në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

KB mendon se për çështjen në fjalë duhet të bihet dakord midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Benjamin Netanyahu gjithashtu theksoi se Kosova, e cila nuk kishte lidhje diplomatike me shtetin hebre që nga shpallja e pavarësisë në 2008, do të ishte “vendi i parë me shumicë myslimane që hap një ambasadë në Jeruzalem”.

Ai falënderoi Donald Trump për “kontributin” e tij në këto suksese diplomatike për Izraelin.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re