Deputetët e Parlamentit në Serbi miratuan ndryshimet në grupin e ligjeve të sistemit gjyqësor të propozuara nga partia Progresive serbe e presidentit Vuçiç, të cilat sipas opozitës, shtojnë kontrollin e qeverisë mbi sistemin gjyqësor.

Kritika erdhën edhe nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladan Petrov, i cili deklaroi se partia në pushtet bëri gabim që nuk i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë mendimin e tyre mbi ndryshimet dhe plotësimet në grupin e ligjeve të gjyqësorit.

Një reagim më i ashpër erdhi nga Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos.

“Vota e Parlamentit të Serbisë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit është një hap serioz PRAPA në rrugën e Serbisë drejt BE-së”.

Përpara takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel, Marta Kos i bëri thirrje edhe një herë Asamblesë Kombëtare Serbe që të rishikojë sa më shpejt të jetë e mundur ndryshimet e miratuara në ligjet gjyqësore dhe t’i sjellë ato në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Edhe Bruskeli tha se ndryshimet e miratuara në ligjet gjyqësore në Parlamentin serb mund të përfaqësojnë një hap të madh prapa në rrugën evropiane të Beogradit, duke shtuar se komisioni do të japë një vlerësim të detajuar pasi të ketë kryer një analizë të tekstit ligjor të miratuar.

Zëdhënësi vlerësoi se ndryshimet në ligj u përgatitën “me nxitim, në një proces jo transparent pa konsultim me të gjitha palët e interesuara”, siç janë Komisioni Evropian dhe Komisioni i Venecias.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re