Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviç, ka folur mbrëmë për të theksuar se Beogradi zyrtar, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të shqyrtojë mundësinë e kthimit deri në 1000 pjesëtarë të forcave të tyre të sigurisë në Kosovë.

Në një konferencë për media të caktuar urgjentisht në Qeverinë e Serbisë në orën 23:00, ai e bëri të ditur këtë për, siç tha ai, “vendimin e paligjshëm dhe të dhunshëm të (kryeministrit të Kosovës) Albin Kurti” për të “pushtuar veriun” e Kosovës.

Kujtojmë se mbrëmë ai akuzoi kryeministrin e Kosovës se dëshiron të dëbojë serbët si dhe se po përpiqet të lehtësojë zbatimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore.

Ai tha se, sipas informacioneve, në orën 20:30 të mbrëmshme ndërmjet 300 dhe 350 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë hyrë në veri të Mitrovicës dhe më pas janë dislokuar në pjesë të qytetit në mesin e popullatës.

Ai po ashtu ka thënë se në mesin e policëve të Kosovës që kanë mbërritur në veri ka edhe pjesëtarë të policisë me jelek antiplumb dhe njësi speciale, me “gypa të gjatë” dhe autoblinda.

Ai ka theksuar se me këtë është shkelur marrëveshja e Brukselit, sipas së cilës, siç tha ai, në veri mund të jenë vetëm pjesëtarët e policisë nga Drejtoria Veriore.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re