Kryeministri Kurti tha të enjten se katër policët kosovarë të arrestuar në Rashkë, në jug të Serbisë, janë liruar dhe vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç është dërguar në mbajtje.

Kurti në seancën e qeverisë së Kosovës ka thënë se policët janë ndalur në pikat kufitare Kosovë-Serbi: Merdare, Dheu e Bardhë dhe Jarinje, si dhe në pikën kufitare Serbi-Kroaci.

“Zëvendësdrejtori i policisë është ende në burg në Serbi”, tha Kurti.

“Stop mizorive”

Presidentja Vjosa Osmani më herët ka deklaruar se pesë policë të Kosovës ende mbahen peng në Serbi dhe u ka bërë thirrje zyrtarëve ndërkombëtarë që të reagojnë “për të ndalur krimet dhe veprimet e tilla shoviniste të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës”.

“Përderisa përballemi me sfida të sigurisë, të mos harrojmë se edhe në këtë moment pesë policë të Republikës sonë janë peng të shtetit shovinist të Serbisë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë aleatëve tanë që të ngrenë zërin dhe të shtojnë përpjekjet e tyre për të ndalur mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste ndaj qytetarëve tanë dhe policisë sonë”, tha Osmani gjatë ceremonisë së diplomimit për gjeneratën e 59-të të kadetëve të Policisë së Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi dje se policia serbe ka arrestuar zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç dhe katër policë të tjerë në pikën kufitare Jarinje.

Të mërkurën në mbrëmje edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar se Jankoviç është në paraburgim pa asnjë shpjegim dhe se është sjellë për intervistim në Rashkë, në jug të Serbisë.

Të mërkurën, autoritetet serbe ndaluan së paku katër autobusë me targa kosovare dhe pasagjerë nga Kosova në kufirin me Kroacinë, ndërsa sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, tha se një bllokadë e tillë ishte “shenjë hakmarrjeje nervozizëm absurd” i Beogradit zyrtar për shkak të votimit në Parlamentin e Asamblesë së Këshillit të Evropës për mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në atë organizatë.

Por Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka mohuar deklaratat e zyrtarëve kosovarë për ndalimin e autobusëve, duke u justifikuar me një “kontroll të shtuar të të gjithë pasagjerëve”.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re