Kryeministri Edi Rama dënon vendimin e Beogradit zyrtar për të shpallur tre ditë zi për katër terroristët serbë të vrarë nga forcat e  Kosovës pasi ata i morën jetën policit Afrim Bunjaku.

 

Në platformën X kreu i qeverisë shkruan se nderimi terroristëve është sinjali më i keq që Serbia po i jep rajonit të Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Serbia duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!

 

Udhëheqësve të Serbisë u thotë se është koha që të vendosin për qasjen e tyre me Evropën demokratike apo do të mbetet peng i krimeve të së shkuarës ndaj Kosovës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX, me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ’90, me të nesërmen europiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!

 

E njëjta kërkesë edhe në adresë të BE dhe SHBA që kanë marrë përsipër të çojnë Kosovën dhe Serbinë drejt normalizimit të marrëdhënies mes tyre.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!

 

 

Në fund por jo për nga rëndësia Edi Rama i thotë Albin Kurti se është çasti që veprimet e tij të jenë të bashkërenduara me aleatët.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti!

 

Bashkëpunimi me SHBA dhe BE shkruan kryeministri është e vetmja rrugë, të tjerat janë iluzione që e kthejnë Kosovën në peng të paqes në mes të Evropës dhe cënon të ardhmen e saj si një vend i lirë evropian.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re