Vendet e Bashkimit Evropian votuan për paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat përfshijnë kufizimin e çmimeve të naftës ruse të eksportuara nga vendet e treta. Pas miratimit të këtij vendimi, Serbia nuk do të mund të importojë naftë nga Rusia përmes Janaf-it, që do të thotë se sanksionet e vendosura ndaj Moskës praktikisht janë bartur edhe në Serbi.

Propozimi fillestar i Komisionit Evropian parashikonte një përjashtim kur bëhet fjalë për furnizimin nga gazsjellësi i Adriatikut, por me insistimin e disa vendeve anëtare të BE-së, ky propozim u refuzua sepse qëndrimi është se nuk ka asnjë justifikim që Serbia të përjashtohet.

Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, ndaj nuk duhet të përfitojë nga derogimi. Vendet e tjera anëtare (BE) janë pajtuar me këtë qëndrim, tha një burim diplomatik i cili ishte i përfshirë në diskutimet për pakon e re të sanksioneve, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ky vendim, sipas mediave të regjimit, ka tronditur presidentin Vuçiç, i cili beson, siç thuhet, se Kroacia është më përgjegjëse për bllokadën e vendosur ndaj Serbisë.

Sipas njoftimeve, Vuçiç duhet të bëjë një njoftim me këtë rast dhe arsyeja kryesore pse presidenti serb është i pakënaqur me vendimin e BE-së është se Bullgaria, ku vepron Lukoil rus, ka marrë pozitë të privilegjuar, përkatësisht përjashtim.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, duke folur për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë, tha se ky vendim ka ndryshuar gjithçka.

“Unë thashë se presidenti do të jetë nën presion të madh. Sot, pas këtij vendimi të turpshëm të Bashkimit Evropian, Vuçiç do t’i përgjigjet ashpër sanksioneve që ka insistuar Kroacia”, tha Ana Brnabiç në TV Happy.

Sipas mendimit të saj, Kroacia kërkoi sanksione, “dhe është krenare për këtë”, sepse Serbia po kërkon të ndëshkojë ata që janë përgjegjës për krimin pranë Bosanski Petrovac në gusht 1995.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re