Bora është kthyer sërish në disa zona malore të vendit, duke detyruar Autoritetin Rrugor Shqiptar që të dalë me një rezyme mbi situatën, si dhe të këshillojë për goma dimërore ose me zinxhirë për ata që udhëtojnë aty ku ka rënë apo po bie dëborë.

Aksi më me shumë qarkullim mbetet ai që të çon në Dardhë, një pikë turistike e interesit të madh këtë stinë.

ARRSH bëri të ditur sot se gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar në akset Kukës-Shishtavec, Bogë-Theth, Tamarë-Vermosh, Korçë-Dardhë.

Mjetet borëpastruese kanë punuar për pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës në këto akse rrugore.

ARRSH bën me dije se qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale, por se duhet kujdes.

“Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet e mësipërme që janë me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, apelon ARRSH. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re