Të tjera infektime me koronavirus janë konfirmuar sot brenda stafit të kopshtit “10 Korriku” në Berat. 2 edukatore dhe 1 sanitare rezultojnë të jenë infektuar me koronavirus.

Të infektuarat e ditës së sotme ishin të karantinuara që prej 1-jave, kur edhe u konfirmuan rastet e para të infektimit të një edukatoreje dhe një sanitareje në këtë kopsht.

Që prej shfaqjes së rasteve të para të infektimit brenda këtij kopshti, i gjithë stafi i edukatoreve dhe sanitareve ju nënshtrua testimit, ndërkohë që edhe të gjithë fëmijët janë të karantinuar në banesat e tyre. Kopshti më i madh në qendër të qytetit të Beratit vijon të jetë i mbyllur që prej 1-jave, ndërkohë që ende nuk kanë mbërritur të gjitha përgjigjet e testimeve të kryera në këtë kopsht.

Burimet zyrtare pranë DSHP-së Berat bëjnë me dije se, kopshti “10 Korriku” do të vijojë të qëndrojë i mbyllur deri në përfundimit e të gjithë hetimit epidemiologjik të rasteve të kontaktit brenda tij dhe deri në negativizimin e plotë të të gjitha rasteve që janë konfirmuar aty “pozitive”.

Të njëjtat burime konfirmojnë se, të prekur me koronavirus në qarkun e Beratit gjatë muajit të fundit kanë qenë edhe shumë pensionistë, të cilët kanë qenë edhe raste të reja por edhe raste kontakti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re