Kryebashkiaku socialist i Vlorës, Ermal Dredha, është shprehur se numri i vizitorëve në Vlorë këtë sezon është tepër i lartë.

Komentet Dredha i bëri në emisionin “log” në Panorama TV, ku tha se numri i turistëve ka arritur në ato përmasa saqë strukturat akomoduese e kanë të vështirë t’i përballojnë.

Ai tha gjithashtu se ka disa problematike në fushën e shërbimeve, që sipas tij, bizneset private po punojnë edhe me Universitetin për të trajnuar të rinjtë.

“Unë kam një javë që kam marrë detyrën zyrtarisht. Ka angazhime të mëdha edhe nga strukturat bashkiake përsa i përket pastrimit të qytetit. Kjo është diçka që ndodh rëndom në ato pjesë të Vlorës. Mund të ndodhë në çdo kohë, sepse është koha, por edhe për gabim njerëzor ndonjëherë. Puna e parë ka qenë që të bashkërendohemi me të gjithë faktorët. Kemi krijuar një farë sinergjie. Duke filluar nga korriku, Bashkia e Vlorës po e menaxhon vetë pastrimin e qytetit, nuk është më private.

Patjetër që ka problematike, por duket që po ecën mirë. Në funksion të pastrimit, është e nevojshme të shtojmë transportin urban në gjithë qytetin. Nga shtatori ne do e menaxhojmë duke krijuar edhe hartën për parkimin. Kjo ndikon edhe në lëvizjen e makinave në qytet, sepse nuk ka makina mjaftueshëm. Të krijojmë zona parkimi pse jo edhe me pagesë, siç e ka edhe Tirana. Vlora është plot, full.

Mbetet sfida globale kjo e mungesës së stafeve, sepse njerëzit kanë të drejtë të lëvizin. Po ta shikosh si zhvillohet turizmi në këtë qytet, ky është viti më i mirë. Operatorët turistikë janë të interesuar për të bashkëpunuar edhe me Universitetin e Vlorës. Ne do të bëjmë edhe kurse trajnimi me të rinjtë, që të jenë në lartësinë e duhur në shërbime. Ka disa mangësi në këtë pjesë. Ne kemi edhe një surprizë të madhe këtë vit, ku turistët janë më së shumti nga Spanja. Imagjino që është një vend turistik vetë dhe vijnë këtu.

Aeroporti i Vlorës do të jetë gati në vitin 2025. Diku 10 vite më parë ne kemi nisur të bëjmë një fushatë për rritjen e vëmendjes që të huajtë të zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik. E kemi marrë atë vëmendje besoj, numri duket. Kemi arritur në ato përmasa ku nuk jemi gati.

Aeroporti do të shtojë kapacitet më të madh të vizitorëve jo vetëm në Vlorë, por në gjithë Jugun. Ka projekte shumë serioze për të shtuar numrin e hoteleve në Vlorë. Po ndërtojmë hotele në Vlorë. Po lëshohen apartamente me qera për të huajt. Por duhet më shumë kapacitet akomodues në qytet, kjo është e vërtetë”, është shprehur Dredha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re