11 studentët finalistë prezantuan dje zgjidhjet e tyre përpara jurisë së Konkursit të Sfidave të Biznesit, organizuar nga programi B4Students, në partneritet për vitin 2021 me shoqëritë Balfin Real Estate & Hospitality dhe Green Coast Resort & Residences. Në përfundim të aktivitetit, juria e konkursit vlerësoi të gjitha prezantimet e finalistëve dhe shpalli 3 studentët me projekt-propozimet më të mira për zgjidhjen e sfidës së biznesit – Si të përmirësojmë jetëzimin e Green Coast Resort & Residences përgjatë gjithë vitit.

Klevis Mema, student i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Hersli Selimaj, student i Tirana Business University College dhe Kristjana Proko, studente e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës janë 3 fituesit e sfidës, të cilëve sipas renditjes, ju ofrua shpërblim monetar, abonimi në kurs trajnimi online në platformë ndërkombëtare, si dhe mundësia për ndjekjen e programit të Praktikës Profesionale & Punësimit, në profil të lidhur me studimet. Në një kohë të shkurtër, rreth 2 javë, në këtë konkurs u regjistuan 218 studentë nga Institucione të ndryshme të Arsimit të Lartë.

Në mbështetje të përgatitjes së finalistëve, B4Students i mundësoi të gjithë studentëve një vizitë studimore në mjediset e brendshme të Green Coast Resort & Residences. Në shoqërinë e kolegëve nga Balfin Real Estate & Hospitality, studentët u njohën nga afër me kapacitetet ndërtimore, facilitetet dhe nismat e ndërmarra në resort për ndërtimin e një aktiviteti të qëndrueshëm dhe tërheqës. Gjatë vizitës, studentët u pritën dhe patën mundësinë të bashkëbisedojnë për pyetje rreth sfidës me drejtorin operacional të Green Coast Resort & Residences, Omar Alghazawi, ekspert me përvojë ndërkombëtare në fushën e turizmit.

Në vlerësimin e prezantimit të zgjidhjeve nga finalistët, u angazhuan si anëtar jurie 3 ekspertë të Balfin Real Estate & Hospitality dhe Green Coast Resort & Residences, Satbere Hoxha, Miri Troka dhe Mino Angjellari. Në përfundim të eventit, finalistët u përshëndetën nga Drejtorja Ekzekutive e kësaj kompanie, Ledia Telhai, e cila i përgëzoi ata për përkushtimin dhe cilësinë e lartë të përgatitjes, duke i dorëzuar secilit certifikatën e vlerësimit.

Ky është edicioni i I-rë i Konkursit të Sfidave të Biznesit nga B4Students. Me këtë aktivitet, B4Students synon të kontribuojë në zhvillimin profesional të studentëve dhe integrimin në tregun e punës, duke i krijuar mundësinë të testojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre në analizën e problemeve të biznesit dhe menaxhimin strategjik, në rrethana konkrete. Për Klevisin, fitues i vendit të parë, “Pjesëmarrja në konkurs ishte një eksperiencë fantastike. U përballa me një sfidë të vërtetë biznesi dhe u njoha me studentë shumë të përgatitur nga shkolla të ndryshme”, për Herslin, fitues i vendit të dytë, “Njoha vetëveten në një dimension tjetër dhe krijova një përvojë të re.

Kualifikimi në fazën finale ndër 218 konkurrentë, si dhe vlerësimi fitues ishin një moment krenarie” dhe për Krisjanën, fituese e vendit të tretë “Ishte një eksperiencë shumë e bukur që të jep mundësinë të mësosh, zhvillosh aftësi, si dhe të bësh miq të rinj.”
B4Students është një program i mbështetur nga Grupi BALFIN, prezantuar për publikun në muajin maj të këtij viti. Së shpejti, B4Students do të lancojë mundësinë e rradhës, krijuar për klubet e studentëve, të cilët do të vlerësohen për mbështetjen me grant dhe këshillim të projekt-propozimeve për zhvillimin e aktiviteteve sociale, me impakt pozitiv në komunitet.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re