Ndërsa Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve pritet të zgjedhë tre përfaqësues të rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi theksoi se sfida më e madhe e gjyqësorit është rikthimi i besimit në Sistemin e Drejtësisë.

Sadushi tha se gjyqtarët e rinj që pritet të zgjidhen do duhet të dëshmojnë se “sistemi i drejtësisë nuk shtrin dorën për lëmoshë tek ekzekutivi dhe legjislativi por është për t’ju kërkuar atyre të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore në funksion të parimeve dhe vlerave me të cilat vepron një shtet i të drejtës.”

Duke kujtuar faktin se më mirë se gjyqtarët askush nuk e kupton peshën e padrejtësisë, kreu i Gjykatës së Lartë, tha se çdo anëtar i ri i zgjedhur duhet të përpiqet maksimalisht që ta bëjë sistemin gjyqësor më të besueshëm.

“Rikthimi i besimit tek sistemi i drejtësisë është sfida thelbësore jo vetëm e gjyqtarëve, por edhe e anëtarëve që do të duhet të dëshmojnë se sistemi i drejtësisë nuk shtrin dorën për lëmoshë tek ekzekutivi dhe legjislativi por është për t’ju kërkuar atyre të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore në funksion të parimeve dhe vlerave me të cilat vepron një shtet i të drejtës.

Ju që do të votoheni duhet të identifikoheni si karaktere të mirëformuara, kurajoze që të kuptoni rëndësinë e funksionit që do të kryeni, të mos bini pre e burokracisë administrative nga e cila nuk janë imunë as gjyqtarët.

Bëjeni këtë që ditën e parë deri në ditën e fundit të mandatit tuaj, ky do të jetë shpërblimi më i mirë që do t’i bënit sistemit të drejtësisë por edhe kolegëve që ju besuan. Askush më mirë se gjyqtarët nuk e kupton peshën e padrejtësisë. Përpiquni maksimalisht që ta bëni sistemin gjyqësor të besueshëm.

Nëse e bëni këtë keni realizuar edhe detyrën tuaj si qytetarë evropianë të këtij vendi. Nëse nuk arrini ta përmbushni detyrën, kjo nuk është thjeshtë çështja juaj por edhe përgjegjësia jonë që nuk arritëm të bënim zgjedhjen e duhur.”, tha Sadushi.

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve do të zgjedhë ditën e sotme (9 tetor) tre përfaqësues të rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për shkak të mbarimit të afatit të anëtarëve aktualë.

Përfaqësuesit e rinj do të zëvendësojnë Brikena Ukperajn nga Gjykata e Apelit dhe Dritan Hallunaj e Marçela Shehu nga Shkalla e Parë, të cilëve u përfundon mandati.

Kandidatët që do të votohen nga kolegët janë Emona Muçi e Irida Kacerja nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Alma Kodraliu, Gentiana Muçaj e Markelian Koça nga gjykatat e Shkalles së Parë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re