Mazhoranca dhe opozita kanë kohë deri në tetor, koha kur presidenti pritet të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale, për të gjetur gjuhën e kompromisit në lidhje me ndarjen territoriale të vendit.

Në fillim të punës së komisionit të posaçëm për këtë reformë, të dy palët po përpiqen të jenë të kujdesshme e të mos hapin debatin e numrave sa bashki duhet të ketë Shqipëria; por qartazi bashkëkryetarja socialiste Anila Denaj, e cila ka qenë edhe ministër Financash, beson se një numër më i vogël bashkish do të ishte më efektiv; ndërkohë që homologia demokrate Dhurata Çupi mendon se vendi duhet të ketë më shumë bashki.

 

ANILA DENAJ

BASHKEKRYETARE E KOMISIONIT

“Nëse do t’i shkojmë këndit ekonomik, sigurisht që faktet do të jenë kokëforte dhe numri më i madh i bashkive nuk do të ishte rezultati. E kundërta mund të jetë argumenti.” .

 

DHURATA ÇUPI

BASHKEKRYETARE E KOMISIONIT

 

“Qasja ime është për të rritur numrin e bashkive. Sepse fakti që ne themi dhe kjo pranohet që shërbimi publik pranë qytetarit është distancuar këtë e bën sigurisht distance fizike.”

 

Në këtë fazë të reformës mazhoranca dhe opozita i mëshojnë vetëm rëndësisë që ndarja e territorit ka për qytetarin.

 

ANILA DENAJ

“Ne i mbetemi qëndrimit tonë si mazhorancë që reforma ka efektivitet dhe në ditët e javët në vijim do të shikojmë më shifra e me fakte këtë.”

 

DHURATA ÇUPI

 “Mos kemi më atë që ka ndodhur deri më sot, investimet në qytet , miliona euro në qytet dhe fshati pa asnjë lloj shërbimi nga bashkitë.”

 

Por edhe pse opozita flet vetëm për qytetarët, kjo reformë është në thelb një reformë zgjedhore që ndikon në rezultatin që opozita do të marrë në zgjedhjet lokale te vitit të ardhshëm.

 

Në 2015 opozita arriti të merrte vetëm 15 nga 61 bashkitë e vendit, dhe për vite me radhë PD ka akuzuar shumicën se me skicimin e kufijve të bashkive e ka bërë të vështirë garën elektorale, duke hequr apo shtuar zona që janë bastione të njërës apo tjetrës forcë politike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re