Ndërsa Gunther Krichbaum, kreu i Komisionit për Europën në Bundestag bën thirrje të hapura për moshapjen e negociatave me Shqipërinë, nga Gjermania vjen thirrja që ato të hapen.

Siç raporton TCH, është Këshilli Gjerman për Politikat e Jashtme, një “think tank” i pavarur me shumë influencë në jetën politike gjermane, i cili ka  publikuar një raport ku thuhet se “asnjë shtet tjetër në rajon nuk ka bërë aq sa Shqipëria për të merituar hapjen e negociatave”.

E si shembull i këtij përparimi merret Reforma në Drejtësi.

“Duhet të pranojmë se asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë një përpjekje serioze për të reformuar rrënjësisht sistemin e drejtësisë. Ky është një proces i pandalshëm dhe që krijon themelin për sukses në fusha të tjera kyçe, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksohet në raport.

Aty thuhet më tej se një “Jo” nga Berlini jo vetëm që do të destabilizonte Shqipërinë, por do të kishte një ndikim negativ në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa “Po”-ja do të ishte një sinjal i qartë se Gjermania dhe BE, po shpërblejnë përpjekjet e Shqipërisë për t’u reformuar

Raporti është gjithashtu dhe fshikullues, por jo aq me qeverinë.

“Ajo që mungon është një kulturë politike që njeh kompromiset jo si një dobësi, por si një element qendror i demokracisë. Në të kaluarën, kjo ka zvarritur reformat dhe pengoi funksionimin e institucioneve demokratike. Për shembull, në vitin 2017, PD bojkotoi punën parlamentare për disa muaj, një mekanizëm i përbashkët për debatin politik në Shqipëri”, thuhet në raport.

Gjykuar politikisht nga mesazhet që përçohen, duket se qeveria Rama ka lobuar fuqishëm për shprehjen e këtij qëndrimi te Këshilli Gjerman për Politikat e Jashtme.  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re