Kjo grua rreth të 70-ave, e ardhur nga një familje besimtarësh të devotshëm, rrëfen për gazetën “Fjala” një jetë plot andralla dhe besimin e palëkundur në Zot, si antidot ndaj trishtimit

Nga Alessia Selimi

Po trokasim në dyert e Hiqmete Pazarit. Kjo grua rreth të 70-ave,  e cila mban mbi kokë një shami me tonalitete të buta, është besimtare myslimane, që ka agjëruar për më shumë se 30 vjet, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Ndodhemi te 9-katëshet, në qendër të Tiranës. Nënë Neti (kështu e thërret kushdo që e njeh) gëzon një shtëpi të thjeshtë, ku mbizotëron ngjyra e gjelbër, dhe jo më kot. Kjo ngjyrë është e lidhur tradicionalisht me islamin.

Madje disa besimtarë besojnë se është ngjyra e preferuar e profetit, dhe se ai gjithmonë mbante një çallmë të gjelbër. Teksa na drejton çuditërisht drejt këndit që i kushtohet privatësisë në shtëpi, muret janë veshur me korniza, me sure nga Kurani, dhe mbi një komodinë druri i është kushtuar hapësirë e posaçme pikërisht këtij libri të shenjtë. “Sa më shumë ta studiosh, aq më thellë futesh dhe aq më bosh e ndien veten. Është një enciklopedi dijesh”, thotë Neti.

Kjo strehëz, ndonëse e ngrohtë, të lë menjëherë të kuptosh se mban vetëm hapat e një personi. Por nënë Neti i përgjigjet ëmbëlsisht pyetjes nëse jeton apo jo vetëm. “Jo xhan, unë jetoj me Allahun”, shprehet ajo.

Një radio e vjetër mbi kokë të krevatit është ndezur. Duket se teatri i mendjes ende dëshirohet dhe pëlqehet. Dikush kërkon të flasë me të. Telefoni i shtëpisë po bie me një tingull thuajse në zhdukje. Ajo kërkon ndjesë dhe çohet vrullshëm nga minderi me çentro të punuara nga e ëma. Me një portret të panjohur për ne, kjo grua e urtë merr e jep, duke na zbuluar kështu një tjetër anë të sajën.

“Aktivistët e Teatrit Kombëtar do të na lajmërojnë përmes rrjeteve sociale, sepse kanë ikur për të protestuar nëpër qytete të tjera. Unë do të shkoj se s’bën. U vrava apo u lëndova, të paktën hodha një gur për të drejtën, për të vërtetën. E po le të na vrasin, le të na bëjnë ç’të duan. Një ditë do të vdesim, do ta japim shpirtin. Mjerë ata për veten e tyre! Po a mbahet Shqipëria me bishta, me një copë diplomë dhe një copë letër?

Nënë Neti tregon fill pas telefonatës se po proteston për çështjen e Teatrit për rreth 1 vit e gjysmë, dhe se nuk ka ndër mend të sprapset. Por ajo nuk ndalet shumë në këtë pjesë. I pëlqen të kthehet në të shkuarën, ndonëse kjo e fundit i rëndon.

“Unë e kam përqafuar islamin në një moshë fare të vogël, kur nënës sime i erdhi një lypëse në derë. Me një dorë të zgjatur, kërkoi për të ngrënë, duke thënë se po i vdisnin fëmijët nga uria. Dhe ime më, e cila po gatuante drekën, i dha tenxheren që ndodhej mbi  zjarr. Unë së bashku me dy motrat e mia u ushqyem me makarona me ujë. Asokohe të tilla ishin mundësitë…”, tregon Neti duke shtuar se jo vetëm prindërit i ka pasur besimtarë të devotshëm, përcjellës të natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten dhe universin, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove.

Gjyshi im ka studiuar 14 vite për teologji në Persi. Për sa i takon nënës dhe babait, luteshin dhe faleshin fshehurazi në shtëpi, kryesisht ime më, e cila ka pasur një jetë shumë të vështirë, plot andralla”, thotë Neti.

Noçja ime ( i referohet të ëmës) është rritur jetime. Xhaxhallarët e saj, bejlerë të kohës, e keqtrajtonin, madje e mbajtën një herë  të lidhur pas një karrigeje për pesë ditë dhe pesë net, e ngjyen me të zezë tigani, si dhe i kontrollonin nevojat personale, vetëm e vetëm që të mos martohej me tim atë, Fiqiri Pazari, i cili ishte një ndër tre agronomët e parë që kishte studiuar asokohe jashtë vendit.”

Kjo grua shtatlartë ka punuar prej shumë vitesh si skicografe, edhe pse ka ndjekur studimet në Fakultetin Ekonomik në Tiranë.

Dëshironte ta përfundonte arsimin e lartë, por iu bë e pamundur. Nëna e saj ishte në një gjendje të rënduar shëndetësore dhe Neti tregon se donte t’i qëndronte në krah si kurrë më parë. Gjithë ç’i ka mbetur nga ajo kohë është një pension modest, me anë të cilit do të shtrojë edhe drekën e Fitër Bajramit.

“Nuk i kam ndier asnjëherë vështirësitë financiare, pasi them se di të ushqehem. Unë u drejtohem gjërave të lira në dyqan, për t’i përpunuar menjëherë në shtëpi. Është e lodhshme, por nuk mërzitem aspak.Përkundrazi!”, tregon Neti teksa nuk ngurron të bëjë një krahasim me agjërimin dhe drekat e mëparshme në shtëpinë dykatëshe të prindërve, m’u në qendër të Tiranës.

Babai dhe nëna ime agjëronin me çfarë të kishin mundësi. Mishi ishte luks! Ata agjëronin me zarzavate dhe fruta të një cilësie të dobët. Më kujtohet fare mirë ime më, e cila e ndante ushqimin në mënyrë të barabartë dhe vetes i linte vetëm dy kokrra oriz në tenxhere. Dhe kur të gjithë ulnin kokën për të ngrënë ajo e ngrinte, sepse nuk kishte çfarë të hante. Sikur të mos mjaftonte tensioni i vazhdueshëm nga lufta që sistemi i egër komunist u shpalli besimtarëve të krishterë dhe myslimanëve”, shprehet Neti me lot në sy.

Unë ndaja me time më çdo gjë që kisha në pjatë, edhe pse isha në një moshë fare të vogël. Ndaja orizin, byrekun, duke i thënë gjithmonë “Pash hatrin e Zotit”. Sepse e dija, ajo nuk do të devijonte me besën e Allahut.”

Trishtimi i ndihet në zë, edhe kur përmend motrën e saj të ndjerë, të paralizuar, për të cilën është kujdesur personalisht për plot 20 vjet.

“Pak më parë më pyete nëse jetoja vetëm. Unë të dhashë një përgjigje, por më lër të të them edhe këtë: jam kujdesur për motrën time të paralizuar për shumë kohë. Ka jetuar këtu, në këtë shtëpiËshtë e gjitha një sprovë, nuk është gëzim. Kjo i ngatërron njerëzit. Në këtë tokë ka veçse punë, nuk ka llogari”, kështu i përgjigjet Neti ekuacionit të pazgjidhshëm të asaj çka quajmë jetë.

Dhe myslimanëve që festojnë atë çka doktrina fetare e quan Fitër Bajrami, u kërkon të besojnë në mënyrë të vërtetë, duke qëndruar larg turpit, vjedhjes dhe vrasjes. Nënë Neti duket e lodhur nga fjalët e tepërta.

Për një moment heq shaminë dhe sheh drejt perdeve të bardha që mbulojnë dritaren pranë. Diç kërkon, ndoshta një shenjë, nuk dihet. Ajo çka dihet është se edhe sot do t’i dorëzohet, përulet dhe bindet Zotit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re