Mësimi pritet të rifillojë në 23 mars. Lajmin e dha ministrja e Arsimit, Besa Shahini përmes një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale.
“Planet tona janë që të rifillojë mësimi në 23 mars. Task Forca ka parashikuar që 2 javorshi është i mjaftueshëm dhe e nevojshme, por nëse do të ketë një shtyrje do t’ju njoftojmë. Tani për tani të planifikojmë që të rikthehemi në shkolla me 23 mars.”
Besa Shahini sqaroi se një pjesë e mirë e shkollave janë dezinfektuar dhe se pjesa tjetër do të dezinfektohen në ditët në vijim. Ajo shpjegoi edhe nëse mësimi do të vazhdojë aty ku u la apo do të merren në konsideratë edhe mësimet online.
“Disa janë dezinfektuar tani, këtë javë, disa do dezinfektohen javën e ardhshme. U kemi çuar një letër të gjithë Bashkive që të bëjnë dezinfektimin e shkollave para 23 marsit, pra para se të fillojë mësimi. Leksionet që po i transmetojnë në TV kryejnë dy funksione, një përsëritje dhe një që të mos mbesim prapa. Kjo nuk zëvendëson punën e mësuesit, të rrinë në kontakt me mësuesit, që kur të kthehen të bëjmë një përsëritje të shkurte dhe të vijojmë orët e tjera. kemi humbur shumë orë për shkak të tërmeti, kështu që duhet të punojmë shumë fort që të mos mbesim pas me mësime.”
Shkollat u mbyllën me vendim qeverie pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus në Shqipëri.