Qeveria është e gatshme për një tjetër garanci sovrane (kredi) që do t’i vijë në ndihmë biznesit të mesëm dhe atij të madh, por me kushtin që kësaj here edhe bankat të marrin përsipër riskun.
Në një intervistë për gazetarin Nertil Agalliu në TvT, ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, tha se pas paketës së parë 100 milionë si garanci shtetërore, bizneset mund të përkrahen me një tjetër, vlera e së cilës mund të përcaktohet nga gatishmëria e bankave të nivelit të dytë për të ndarë riskun.
“Ne ofruam garancinë shtetërore sovrane 100 milionë për t’iu përgjigjur nevojës së sipërmarrësve për të paguar punonjësit. Në garancinë e dytë sovrane që do të jetë 150 milionë – 200 milionë dollarë, nëse bankat marrin përsipër ndarjen e riskut, kjo mund të shihet duke pasur parasysh gatishmërinë e bankave për risk sharing”, tha Shalsi.
Por në fakt, të zgjerosh paketën e kredisë për një biznes të zhytur në kredi, nuk është gjë tjetër vetëm të fundosësh sipërmarrjen në Shqipëri. Asnjë biznes nuk ka dëshirë të shtojë kredinë, por duke marrë parasysh se qeveria nuk ka vendosur një zgjidhje tjetër, atëherë ata do të aplikojnë për të marrë kredi pas kredie. Dhe kjo do të sjellë shumë shpejt falimentimin e tyre.
Në vendet e Bashkimit Europian, në Itali, Greqi, Spanjë, është alokuar një fond i veçantë për të mbuluar pagat e punonjësve të biznesit të madhe e të vogël. Edhe në shtetin fqinj, në Maqedoni, janë paguar 260 mijë punonjës, të çdo kategorie biznesi. Ndërkohë në Shqipëri, deri tani shifrat e përfituesve nuk janë bërë publike, por nisur nga aplikimet dhe refuzimet, ata nuk i kalojnë 50 mijë, vetëm nga biznesi i vogël.
Kurse biznesi i mesëm dhe i madh, po u jepet kredi në banka.
