I ftuar në Shqip show nga Rudina Xhunga në Dritare Tv, ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, Shaqir Vukaj, tregoi ditët e vështira të ‘97 në qeverinë ku kryeministër ishte Bashkim Fino.

Ai ndaloi në momentin e një Shqipërie të armatosur, ku depot ishin të gjitha të hapura dhe në mëshirë të fatit, ndërsa ministrinë e Mbrojtjes, nuk kishte kush ta mbronte në zyrat bosh.

“Shumë herë i kam bërë pyetje vetes, sepse nga shumë burime dhe shumë letra që më kanë dërguar ushtarakët dhe oficerët, rezulton që ishte përdorur e njëjta skemë. Në të gjithë Shqipërinë e njëjta skemë. I pari që ka folur në lidhje me këtë ka qenë Safet Zhulali nga arratia. Ndër të tjera shpjegonte për Gjirokastrën. Sesi SHIKU ka hapur depot në Gjirokastër.

Ai e ka thënë i pari këtë. Pastaj në 2017 ish-presidenti Sali Berisha ka pranuar që depot i hapëm ne. Ka thënë se u hapën dy depo në jug pastaj për të balancuar hapëm gjitha depot e tjetra. Kjo ka qenë diçka e organizuar. Edhe sot vriten njerëz me armë të asaj kohe.

Është një tmerr i vërtetë. 640 mijë armë, pistoleta, automatikë, janë grabitur atëherë. Duhet patjetër që një ditë të dalin shifrat e vërteta të atyre mijëra njerëzve që u vranë në 97”, u shpreh zoti Vukaj në Dritare Tv.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re