Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar propozimin e presidentit Ilir Meta për të vendosur në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit ish kreun e SHISH, Bahri Shaqiri, i cili aktualisht është këshilltar i Kreut të Shtetit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj ka nënvizuar si mangësi kryesore mospërvojën e Bahri Shaqirit në fushën financiare dhe të auditit.

Plotëson kushtin për arsimimin, ka disa kualifikime në fushën e sigurisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk ka dënime, për shkak të funksioneve të larta që ka mbajtur, por nuk ka përvojë financiare, për organizimin dhe funksionimin e KLSH.

Angazhimet janë të fokusuara në fushën e sigurisë, por jo në ato të parashikuara nga ligji për KLSH. Eksperienca në legjislacionin financiar është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme me aftësi të tjera. Ai është larg specifikës financiare dhe auditimit, financiar, i performancës etj. Kështu që duke iu referuar të gjithë tagrit kushtetues të këtij komisioni, ky komision, i dërgon seancës për mosmiratimin e kandidaturës së tij”- tha Ahmetaj.

Bahri Shaqiri, i propozuar nga Presidenti i Republikës për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit tha më herët gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ekonomisë se do të punojë me paanshmëri dhe profesionalizëm.

Lufta kundër korrupsionit është prioritet kyç i Bashkimit Europian. Reforma në Drejtësi do reflektohet edhe ne punën e KLSH-së. Ky institucion nder me të vlerësuarit. Do punoj me paanshmëri e profesionalizëm”, tha mes tjerash ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re