VALENTINA MADANI/ Ekipet e ambasadave të SHBA-ve në Tiranë dhe Kroaci mblodhën së bashku në një takim SPAK-un e Shqipërisë dhe USKOK-un e Kroacisë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë informoi dje mbi takimin me SPAK dhe USKOK, ndërsa vlerësoi se “bashkëpunimi rajonal është thelbësor për t’iu përgjigjur kriminelëve që nuk njohin kufij”. “Shtetet e Bashkuara mbështesin fort strukturat e specializuara të drejtësisë si SPAK dhe USKOK, teksa ata hetojnë dhe ndjekin penalisht krimet më të rënda në rajon”, – thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Përfaqësues të lartë të Zyrës për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë (USKOK) ishin në Tiranë në datat 21-22 shkurt ku u takuan me përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OPDAT) në Shqipëri dhe Kroaci, me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe Prokurorë të kësaj Prokurorie.

Në këtë takim u analizua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet SPAK-USKOK, i nënshkruar më datë 27 nëntor 2020, ku kryesisht u diskutua rreth vendosjes së pikave të caktuara të kontaktit dhe proceseve për zbatimin e tij. Në mënyrë të vazhdueshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë adresuar organet e drejtësisë që të ndëshkojnë të korruptuarit dhe pushtetarët e lidhur me krimin. Sipas SHBA-ve, korrupsioni kërcënon të drejtat politike dhe liritë civile në nivel global dhe çon në gërryerjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ndaj nuk ka munguar thirrje që të gjitha vendet – përfshirë Shqipërinë – t’u përmbahen angazhimeve të tyre për të luftuar korrupsionin.

“Lufta kundër korrupsionit kërkon më shumë se fjalë, prandaj Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh në botë për mekanizmat kryesorë kundër korrupsionit, për të siguruar që vendet të përmbushin detyrimet e tyre”, ka qenë mesazhi i qartë e ambasadës amerikane në Tiranë.

Tashmë, DEA ka ngritur një agjenci komunikimi elektronik me shqiptarët, për të mbledhur informacione pa filtrin e strukturave, lidhur me veprimtarinë e kultivimit e trafikimit të drogës dhe personat e grupet që merren me këtë aktivitet kriminal.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re