Samiti i 30 i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut ka nisur punimet këtë të enjte me pjesëmarrjen e diplomatëve të 57 vendeve anëtare.

 

Në samit po merr pjesë për herë të pas nisjes së luftës në Ukrainë edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Pjesëmarrja e tij ka nxitur debate dhe reagime të shumta. Ukraina dhe vendet baltike kanë bojkotuar takimin, duke mos dërguar në Shkup asnjë përfaqësues.

 

Punimet e Samitit nisën jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në qendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

 

Organizimi ishte në mënyrë të tillë që kryediplomatët amerikan dhe rus të mos takoheshin me njëri-tjetrin. Gjatë orëve të para të mëngjesit kur Lavrov mbërriti në rajon, Blinken u largua për në Lindjen e Mesme.

 

Përpara largimit, Blinken u takua me ministrin e punëve të Jashtme të Maqedonisë së veriut, të cilin e falënderoi për kryesimin e suksesshëm të OSBE, ndërsa nuk bëri asnjë koment për pjesëmarrjen e Lavrov.

 

Ndryshe nga Blinkën përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme, Josep Borrell, foli për praninë e përfaqësuesit rus.

 

JOSEP BORRELL

SHEF I DIPLOMACISË EUROPIANE

 

“Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duhet të dëgjojë nga pjesëmarrësit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit. Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin megjithatë pjesëmarrja e Lavrovit është në përputhje me qëllimin tonë të përbashkët, për të mbajtur gjallë multilateralizmin.”

 

Njësoj si sekretari amerikan i shtetit, edhe Josep Borrell u largua nga Shkupi gjatë mbrëmjes së të mërkurës për të shmangur praninë e tij në të njëjtën sallë me kryediplomatin rus.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re