Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka komentuar në Panorama TV, reagimet e ndërkombëtarëve të cilët hodhën poshtë deklaratat e Lulzim Bashës në lidhje me Reformën Zgjedhore, pasi ai deklaroi se PD dhe PS, kanë dakortësuar me ndërmjetësim të BE, SHBA, dhe MB.
Vasili është shprehur se deklarata e Bashës ishte “një gënjeshtër e trashë dhe me zarar, që detyroi ndërkombëtarët të ndërhyjnë”
Komisioni për reformën zgjedhore, që sipas Vasilit është rrëmbyer nga Basha dhe Rama, nuk ka prodhuar asnjë, por “është për të gatuar pisllëkun e radhës”.
Sipas tij, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka për detyrë të analizojë zgjedhjet e 2021 dhe 14 majit, për nxjerrjen e patronazhistëve, përdorimin e administratës publike, etj.
“Ishte gënjeshtër e trashë dhe me zarar, që detyroi ndërkombëtarët të ndërhyjnë. Në shkurt bëhen 2 vjet për këtë reformë. Këto palë që kanë rrëmbyer komisioni nuk kanë prodhuar asgjë, është për të gatuar pisllëkun e radhës. Nuk flitet për Reformën kur është shtyrë dy herë. Edi Rama thotë do jua vendos unë anëtarët dhe kryetarin, që këtu s’ka çfarë flet as Lulëzim Basha. Ku komision është i paligjshëm se ka rrëmbyer të drejtën e përfaqësimit të opozitës. Grupi opozitar ka propozimet e veta. Ndërkombëtarët vunë një element të rëndësishëm dhe thanë që reforma të jetë gjithëpërfshirëse. E gjithë opozita nuk është e përfaqësuar.
Tjetër element thelbësor është se Komisioni Reformës Zgjedhore ka për detyrë të analizojë zgjedhjet e 2021 dhe 14 majit, për nxjerrjen e patronazhistëve, përdorimin e administratës publike, etj.
Në qoftë se kjo reformë nuk adreson ato që shkatërruan zgjedhjen, nuk është reforme, riciklohet i njëjti llum dhe të njëjta zgjedhje”, theksoi ai.
Aksioni opozitar
Vasili ndër të tjera ka komentuar dhe aksionin e nisur prej kohësh nga opozita në Kuvend në lidhje me ngritjen e Komisioneve Hetimore, për të cilin tha se ende është e paqartë se kur Parlamenti do ti kthehet normalitetit.
Ai theksoi se të gjitha kërkesat e opozitës për ngritje ekëtyre komisioneve janë “të mirëmenduara dhe hedhin dritë në krime shtetërore njëra më e rëndë së tjetra”.
“Opozita a kërkuar të drejtën legjitime, komisionet hetimorë, dhe për Reformën Zgjedhore, si dhe miratim dhe diskutimin e të gjitha nismave që opozita merr dhe bllokohen në Kuvend. Transparenca është problemi i kësaj qeveria, që përpiqet me dhembë të bllokojë daljen e së të vërtetesë.
Anë e mbanë botës janë të habitur se si bëhet kështu në Shqipëri. Dallimi mes një demokracie dhe diktature është kontrolli. Edi Rama nuk do të kontrollohet dhe të mos dalin në dritë veprimtaritë kriminale. Mijëra dokumente janë në SPAK, dhe skenari i tij është të asgjësoj Parlamentin.
Se kur do kthehemi në normalitet nuk e di. Kërkesat për komisionet hetimore janë aty, janë të ligjshme dhe duhen miratuar. Nuk u themi kusarëve si e doni kontrollin ju, si ju pëlqen. Kjo është një opozitë që hedh dritë mbi abuzimet. Nuk u themi të negociojmë kontrollin. Janë me duar në llum dhe nuk e dinë çfarë bëjnë.
Të gjitha janë të mirëmenduara dhe hedhin dritë në krime shtetërore njëra më e rëndë së tjetra. Edhe porti i Durrësit, janë ngritur të gjithë në këmbë. Qindra milion euro lëviznin mënyrë mafiozë dhe korruptive. Koncesionet në shëndetësi, pasojat janë të rënda. Batërdia që ka ndodhur me TIMS, njerëzit në kërkim kanë të dhënat e TIMS dhe kërcënojnë prokurorët”, u shpreh ai.