Ambasadorët kryesorë të akredituar në vendin tonë i kanë bërë sërish apel mazhorancës dhe opozitës që të zgjidhin ngërçin në parlament. Ndërsa bisedimet mes PS e PD së drejtuar nga Sali Berisha vazhdojnë, zëvendësambasadori amerikan David Wisner ka takuar kryetaren e kuvendit Lindita Nikolla për të diskutuar rreth situatës politike.

Në një postim në rrjetet sociale ambasada amerikane sqaroi se diplomati Wisner përcolli mesazhin se  “Një parlament plotësisht funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive për njerëzit, është thelbësor”.

Ndërkohë që nga ana e saj kryeparlamentarja Nikolla e informoi zëvendësambasadorin Wisner mbi përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së kuvendit në normalitet.

Nga ana tjetër nga Durrësi ambasadori i BE, i cili ka qenë një prej diplomatëve që gjatë këtyre ditëve janë përpjekur për arritjen e një marrëveshje mes PS e opozitës ka theksuar rëndësinë e rikthimit të dialogut në parlament.

“Ne dëshirojmë që procesi  të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv,  dhe të reflektojë realitetin politik në vend. Unë e di që ka disa përpjekje që po bëhen në parlament pikërisht për të arritur disa reforma në vend , dhe kryetari i komisionit të zgjedhjeve e ka bërë të qartë që këto janë çështje të cilat ne besojmë që do të zgjidhen së shpejti’, tha Gonzato. 

Përgjatë javëve të fundit ambasadorët kryesore të akredituar në Tiranë, e veçanërisht ambasadori i BE dhe ai britanik kanë komunikuar me të dy kampet politike në përpjekje për të arritur një marrëveshje që zgjidh krizën e krijuar në parlament./

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re