Zhvillimet e sotme në kuvend u pasuan me reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët. Shtetet e Bashkuara te Amerikes dhe bashkimi europian njohin ndryshimet kushtetuese dhe të drejtën e parlamentit për të vendosur mbi legjislacionin.

AMBASADA AMERIKANE

“Ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet.”

Ambasada amerikane inkurajon opozitën e bashkuar që të vijojë angazhimin në këshillin politik ndërsa i kujton të dyja palëve se duhet të mbajnë fjalën.

 “Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre.”

Pas njohjes së votimit në kuvend, Bashkimi europian nënvizon rëndësinë e kompromisit.

LUIGI SORECA

AMBASADOR I BE NE SHQIPERI

“Ndërsa pranojmë miratimin nga Parlamenti të disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq që nuk është dhënë më shumë kohë në fazën përgatitore për të gjetur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik. ”

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Tiranë, Piter Xingraf shpreh keqardhjen që reforma zgjedhore është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese.

PETER ZINGRAF

AMBASADOR I GJERMANISE

“Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës.Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit.

Ndërkohë, raporteri për cështjet europiane në bundestag, Florian Hahn i ka përshëndetur zhvllimet duke theksuar se është përmbushur njëri nga kushtet e vendosura për hapjen e negociatave dhe ka bërë thirrje për unitet politik.

Edhe ambasadori britanik, Duncan Norman bëri thirrje që të rikthehet fryma e bashkëpunimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re