Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të ambasadës amerikane dhe delegacionit të BE, që të ulin tensionet dhe të dialogojnë.

Bardhi thote se nuk ka akt më antidemokratik sesa tentativa për të zhbërë opozitën dhe te burgosësh për fjalën e lire.

Si pergjigje ndaj ndërkombëtarëve, Bardhi thote se “dialogu është mjet i duhur në vende demokratike, ku mosmarrëveshjet zgjidhen në rrugë institucionale. Por një vend, ku shumica në Parlament injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur ato janë në favor të opozitës, nuk është as demokratik dhe as krijon mundësinë për ndjekjen e rrugëve institucionale”.

Gazment Bardhi thote se me keqardhje rikonfirmon “se e kemi të pamundur t’i nënshtrohemi dhunës së Edi Ramës, të lejojmë asgjesimin e çdo  grimce lirie në këtë vend apo të pranojmë në heshtje instalimin e shtetit të tij personal”.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

Nuk ka akt më antidemokratik sesa tentativa për të zhbërë opozitën.

Nuk ka akt më brutal dhe të dhunshëm sesa të burgosesh për fjalën e lirë.

Nuk ka autoritarizëm më të madh sesa të injorosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të refuzosh të dorëzosh para drejtësisë një deputet të mazhorancës.

Nuk ka veprim më të dhunshëm sesa të marrësh hapur autorësinë e vendimeve politike të gjykatave që burgosin opozitën dhe të kërcënosh me fjalor rruge këdo që guxon të denoncojë lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe çdo qytetar i ndershëm në këtë vend, është thellësisht i shqetësuar për shkatërrimin e balancës mes pushtetetëve, asgjesimit të parimeve demokratike, shantazhit dhe dhunës ndaj opozitës e qytetarëve, rikthimit të metodave të Sigurimit të Shtetit për përndjekjen kundër opozitës dhe qytetarëve, apo ngritjes në majat e pushtetit të krimit të organizuar.

Dialogu është mjet i duhur në vende demokratike, ku mosmarrëveshjet zgjidhen në rrugë institucionale. Por një vend, ku shumica në Parlament injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur ato janë në favor të opozitës, nuk është as demokratik dhe as krijon mundësinë për ndjekjen e rrugëve institucionale.

Nga protesta apo aktet simbolike nuk i rrezikohet jeta askujt, përveçse rrezikohet pushteti personal i Edi Ramës! Nga përballja me krimin e organizuar dhe qeverisjen e kriminalizuar të lidhur me të, që është mision i çdo deputeti që mbron interesin publik, i rrezikohet jeta e prona kujtdo, çdo sekond, çdo minut, çdo orë dhe çdo ditë.

Për këtë arsye, reagimi, rezistenca dhe mosnënshtrimi është e vetmja formë që i mbetet opozitës për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor. Me keqardhje rikonfirmoj se e kemi të pamundur t’i nënshtrohemi dhunës së Edi Ramës, të lejojmë asgjesimin e çdo  grimce lirie në këtë vend apo të pranojmë në heshtje instalimin e shtetit të tij personal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re