SHBA ka dënuar sulmin ndaj Shtëpisë Turke në New York, duke e cilësuar si “vandalizëm”.

“Ne dënojmë vandalizmin. Dhuna kundër misioneve brenda SHBA-së është një krim i dënueshëm”, tha në një konferencë për media Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Miller tha se shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit po punon për hetimin me autoritetet lokale të zbatimit të ligjit.

Shtëpia Turke në New York, një ndërtesë e dedikuar për misionet diplomatike dhe ngjarjet kulturore që u hap në vitin 2021 pikërisht përballë ndërtesës së Kombeve të Bashkuara (OKB), u sulmua në orët e para të së hënës.

Konsulli i përgjithshëm turk në New York, Reyhan Özgür, tha se sulmuesi theu xhamat e ndërtesës në orën 03:14 të mëngjesit me orën lokale, si dhe njoftoi se askush nuk u lëndua, por 12 dritare dhe dyert e ndërtesës u dëmtuan.

Ai tha se sulmuesi, i cili ende nuk është identifikuar, la një levë në vendngjarje.

Ndërtesa u rrethua nga Departamenti i Policisë së New Yorkut dhe një hetim mbi incidentin është duke vazhduar.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re