Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e dy policëve turq të vrarë në Siri dhe dënuan këtë sulm.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price u shpreh në lidhje me sulmet e organizatës separatiste terroriste YPG/PKK kundër Turqisë në konferencën e tij të përditshme për shtyp.

Price, pa përmendur emrin e YPG/PKK-së, tha: “Ne dënojmë sulmet përtej kufirit ndaj aleatit tonë në NATO, Turqisë. Ne gjithashtu shprehim ngushëllimet tona për familjet e dy policëve turq të vrarë në Siri.”

Ai tha se është e rëndësishme që të gjitha palët t’i përmbahen zonave të armëpushimit, të forcojnë stabilitetin në Siri dhe të punojnë për një zgjidhje politike.

“Turqia është një aleate e jonë e rëndësishme e NATO-s dhe ne kemi interesa të përbashkëta në shumë fusha, nga lufta kundër terrorizmit deri në dhënien fund të konfliktit në Siri. Ne do të vazhdojmë të jemi në konsultim të ngushtë me Ankaranë për politikën e Sirisë”, u shpreh Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re