Administrata e presidentit të SHBA-ve Donald Trump ka njoftuar se do të shpallë sot vendimin për mbylljen e zyrës së Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Washington.

Duke u thirrur në deklaratën e një zyrtari të paemëruar të Shtëpisë së Bardhë, gazeta “Amerikan Wall Street Journal” njoftoi se vendimin për mbylljen e zyrës së Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Washington do ta shpallë këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare John Bolton.

I njëjti burim ka publikuar edhe draftin e tekstit që Bolton do të lexojë, ku thuhet se SHBA-të gjithmonë do të qëndrojnë me aleatin dhe mikun e saj Izraelin.

“Administrata e Trumpit nuk do ta mbajë atë zyrë të hapur përderisa palestinezët refuzojnë të hyjnë në bisedime të drejtpërdrejta dhe konstruktive me Izraelin”, shkruan gazeta amerikane.

Në të njëjtën kohë, i njëjti burim njofton se këshilltari i Trumpit, Bolton do të kërcënojë Gjykatën Ndërkombëtare Penale me sanksione në rast se fillon hetime kundër SHBA-ve dhe Izraelit.

Rreth kësaj çështje deri më tani nuk janë prononcuar as Shtëpia e Bardhë e as Departamenti i Shtetit, transmeton AA. Më parë, Trump pezulloi të gjitha ndihmat për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), duke theksuar se SHBA nuk do të ndihmojë palestinezët për aq kohë sa ata nuk vazhdojnë bisedimet e drejtpërdrejta me Izraelin të ndërmjetësuara nga Washingtoni.

Administrata e Trumpit në disa raste ka thënë se është duke punuar për “marrëveshjen e shekullit”, e cila duhet të zgjidhë krizën në Lindjen e Mesme ndërsa presidenti palestinez ka refuzuar të flasë me zyrtarët amerikanë dhe e quajti planin “shuplaka e shekullit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re