Ministri i Brendshëm Taulant Balla sëbashku me Ambasadorin në detyrë të SHBA-ve në vendin tonë David Wisner, ishin në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, për të parë nga afër instalimin e pajisjeve të reja që shërbejnë për kontrollet kufitare dhe mbikëqyrjen e kufirit të gjelbër dhe blu, dhuruara nga Qeveria Amerikane, përmes programesh të ndryshme ku spikat EXBS. Në takimin përurues ishte i pranishëm edhe zyrtarë të lartë Policisë së Shtetit e drejtues të Programit ICITAP, INL dhe Zyrës Rajonale të Sigurisë.

 

Ministri Balla theksoi gjatë kësaj ceremonie se Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ka përfituar nga bashkëpunimi me agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA-së dhe Programet e financuara nga Qeveria Amerikane, në këshillimin, shkëmbimin e eksperiencës, trajnimin e efektivave të Policisë Kufitare dhe Migracionit, forcimin e kapaciteteve teknike dhe logjistike.

 

“Bashkëpunimi me EXBS ka qenë më i dukshmi dhe më i veçanti, ku vlen të nënvijëzohet gatishmëria dhe fleksibilitetit, në çdo kohë i personelit të këtij programi, për të adresuar nevojat tona”, evidentoi Balla.

 

Duke folur rreth ndikimit që kanë pasur këto investime teknologjike në sistemet e sigurisë kufitare, ministri  u shpreh se “si rezultat i rritjes së kapaciteteve, dhe pajisjet e duhura për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, lufta kundër krimit ndërkufitar është intensifikuar, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike, parandalimit dhe menaxhimit të migracionit të parregullt, trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandimit të mallrave dhe imigrantëve”.

 

Balla falënderoi Ambasadën e SHBA dhe Qeverinë Amerikane për mbështetjen e dhënë ndër vite dhe theksoi se është e rëndësishme që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

“Përfitoj nga rasti të falënderoj Qeverinë e SHBA, nëpërmjet ambasadorit në detyrë, Wisner, për mbështetjen e dhënë në një sërë programesh të financuara nga SHBA dhe uroj që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen”, u shpreh Ministri i Brendshëm.

 

Ai nënvizoi në fjalën e tij se ndihmat në pajisje mjete moderne dhe programe janë shtrirë në disa prej strukturave më të profesionalizuara të Policisë së Shtetit.

 

Ambasadori në detyrë i SHBA-së në Tiranë, David Wisner, theksoi në fjalën e mbajtur se “është nder për mua dhe ekipin tim të jem këtu sot, për të mbështetur këta miq të mrekullueshëm me pajisje zbulimi dhe kompjuterike, të cilat nxjerrin në pah, qoftë edhe pjesërisht, se sa shumë jemi të përkushtuar ndaj sigurisë së Shqipërisë. Si aleate e NATO-s, siguria e Shqipërisë, është edhe siguri e SHBA-ve”.

 

“Puna e përditshme që bëni ju të gjithë, për të luftuar migracionin e paligjshëm, krimin, drogat dhe sfidat për të ardhmen e Europës, është thellësisht e vlerësuar, sigurisht edhe nga miqtë tuaj në Ambasadën e SHBA në Tiranë, por gjithashtu edhe nga lidershipi ynë në Uashington. Siguria e brendshme nis nga siguria e jashtme dhe ju jeni në vijën e parë të frontit dhe për këtë jemi shumë mirënjohës. Ne besojmë se mjetet e pajisjet do të japin një ndikim madhor, do t’ju ndihmojnë për fuqizimin, kapjen dhe ndalimin e atyre personave që nuk po përpiqen të bëjnë gjëra të mira për vendin tuaj, dhe ne ju inkurajojmë fuqishëm për këtë”, tha më tej ambasadori Ëisner.

 

“Një mbështetje e konsiderueshme është dhënë në automjete dhe pajisje si automjete patrullimi me kalueshmëri te lartë, kamera termike, dylbi dite dhe nate, jelek antiplumb, GPS, kamera SMARTDEC, elektrikë dore, etj. Ndërkohë janë dhuruar pajisje për përdorim nga Reparti Special për Kufirin dhe Migracionin, DELTA Vlorë dhe në kufirin blu si ndriçues, veshje të veçanta dhe pajisje speciale. Ndikimi i këtyre pajisjeve, në punën e strukturave policore, ka qenë i prekshëm dhe tejet efikas. Konstatojmë se përdorimi i kamerave “SMARDEC” ka rritur forcën zbuluese kundër trafikimit të lëndëve narkotike, kalimin ilegal të kufirit dhe kontrabandimit të mallrave. Si rezultat i përdorimit të tyre, janë parandaluar kalimet e paligjshme dhe rastet e migracionit të paligjshëm,” vuri në pah Balla.

 

Duke folur rreth rëndësisë së bashkëpunimit në një kuadër më të gjerë, rajonal, ai bëri me dije se “më vjen veçanërisht mirë për rezultatet e arritura në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar: ngritja e SBI (South Border Initiative – Iniciativa e Kufirit Jugor), në të cilën marrin pjesë autoritetet e Policisë Kufitare dhe atyre të Doganës të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, dhe Kosovës janë një dëshmi konkrete e këtij bashkëpunimi të ngushtë, për shkëmbimin e informacionit javor për situatën e imigracionit te parregullt”.

 

“Forcimi i sigurisë kombëtare është ndër prioritetet më të rëndësishme, – tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, – pajisjet dhe sistemet e dhuruara, shoqëruar me trajnimet brenda dhe jashtë vendit, përbëjnë themelin e policimit modern kufitar që solli ndryshimin rrënjësor të koncepteve të këtij policimi, edhe në zonat më të thella por edhe të menaxhimit më ekonomik të burimeve njerëzore e logjistike. Iniciativa e kësaj zyre për kufirin jugor, ka ndikim pozitiv në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar nëpërmjet policisë kufitare dhe doganës së Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për shkëmbimin e informacioneve dhe problemeve të sigurisë kufitare”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re