Dy nga tre muslimanë në SHBA janë ekspozuar ndaj sjelljeve islamofobike të paktën një herë në jetën e tyre, treguan sondazhet e zhvilluara në këtë vend.

Në një hulumtim të zhvilluar në Universitetin e Kalifornisë, Instituti Berkeley tha se 67.5 për qind e muslimanëve të anketuar thanë se kanë përjetuar islamofobi të paktën një herë në jetën e tyre.

Hulumtimi tregoi se në mesin e popullatës muslimane, tek gratë, kjo normë rritet në 76.7 për qind.

Të paktën 33 për qind e pjesëmarrësve theksuan se zgjodhën të fshehin identitetin e tyre fetar në një moment në mënyrë që të mos ekspozoheshin ndaj islamofobisë ndërsa 88.2 për qind thanë se shmangnin fjalime dhe veprime të caktuara nga frika se mos përballen me reagime.

Sipas hulumtimit, shkalla e njerëzve që përpiqen të fshehin identitetin e tyre fetar është veçanërisht e theksuar në mesin e grup-moshës 18-29 vjeç ndërsa përqindja lëviz rreth 45 për qind.

“Ky studim tregon se një musliman, edhe nëse nuk përballet drejtpërdrejt me sjelljen islamofobike, është i ekspozuar ndaj një atmosfere në të cilën islamofobia në mediat dhe kulturën tonë pas 11 shtatorit u jep muslimanëve një ndjenjë të vëzhgimit, gjykimit ose përjashtimit”, tha Elsadig Elsheikh, drejtor i Institutit.

Përafërsisht 73 për qind e muslimanëve të anketuar theksuan se mbajnë marrëdhënie të përditshme me jomuslimanët përkundër qasjeve islamofobike në shoqëri dhe 93.7 për qind thanë se e konsiderojnë të rëndësishme pranimin e fëmijëve të tyre si amerikanë.

Studimi përfshiu 1.123 muslimanë të të gjitha etnive dhe grup-moshave që jetojnë në SHBA, gjysma e të cilëve janë gra.

Sipas vlerësimeve në SHBA jetojnë rreth 3.5 milionë muslimanë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re