Flota e Pestë e SHBA-së ka kapur një anije peshkimi që kontrabandonte një sasi “të madhe” materiali shpërthyes nga Irani në rrugë për në Gjirin e Omanit, një kalim detar që përdoret për të shpërndarë armë tek huthinjtë e Jemenit.

Forcat amerikane gjetën 70 ton perklorat amoniumi, i përdorur zakonisht në teknologjinë e raketave, tha Flota e Pestë.

Koalicioni arab i udhëhequr nga Arabia Saudite ka zhvilluar luftë kundër rebelëve Huthi në Jemen që nga viti 2015 dhe akuzon rregullisht Iranin për furnizim me armë rebelëve, gjë që Teherani e mohon.

“Kjo është një sasi masive e materialit shpërthyes, e mjaftueshme për të ushqyer një duzinë raketash balistike me rreze të mesme veprimi,” tha zëvendësadmirali Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të Marinës së SHBA, Flotës së Pestë të SHBA dhe Forcave të Përbashkëta Detare.

“Transporti i paligjshëm i ndihmave vdekjeprurëse nga Irani nuk kalon pa u vënë re. Është i papërgjegjshëm, i rrezikshëm dhe çon në dhunë dhe destabilitet në të gjithë Lindjen e Mesme,” tha Cooper.

Irani ende nuk ka komentuar mbi akuzat.

Në anijen e përgjuar me katër anëtarë të ekuipazhit jemenas, u gjetën 100 tonë pleh artificial, i cili përveç bujqësisë përdoret edhe për prodhimin e lëndëve plasëse. Forcat amerikane fundosën një anije në Gjirin e Omanit të dielën, për të cilën ata thanë se ishte “e rrezikshme për lundrimin e anijeve tregtare” dhe ia dorëzuan ekuipazhin e anijes rojes bregdetare të Jemenit.

Në dhjetor, Flota e Pestë kapi një anije mallrash me pushkë sulmi dhe municione të gjetura në një varkë peshkimi, që besohet se e kishin origjinën në Iran dhe ishin të destinuara për huthinjtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re