Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka akuzuar Rusinë se me forcë ka dëbuar deri në 1.6 milion ukrainas në Rusi, teksa tha se Moska po kryen një operacion të qëllimshëm kriminal për shpopullimin e pjesëve të Ukrainës.

 

Përmes një deklarate më 13 korrik, një ditë para Konferencës për Llogaridhënien për Ukrainën, që mbahet në Hagë mbi krimet e pretenduara në Ukrainë, Blinken tha se Moska po kryen një operacion “filtrimi” për të zhvendosur ukrainasit nga zonat e pushtuara në lindje dhe jug të shtetit dhe duke i dërguar thellë në Rusi.

 

“Ky transferim i paligjshëm dhe dëbim i personave të mbrojtur është shkelje e rëndë e Konventës së Katërt të Gjenevës mbi mbrojtjen e civilëve dhe është krim lufte”, tha Blinken.

 

Ai tha se vlerësimet burimeve, përfshirë edhe Qeverinë ruse, kanë lënë të kuptohen se nga 900,000 deri në 1.6 milion shtetas ukrainas janë dërguar në Rusi, përfshirë edhe në zonat e Lindjes së Largët.

 

Në këtë numër përfshihen edhe afër 260,000 fëmijë, disa prej të cilëve qëllimshëm janë ndarë nga prindërit dhe janë vënë për adoptim në Rusi, tha Blinken.

 

Ai tha se programi i “filtrimit” duket se është planifikuar më herët dhe përputhet me operacionet e ngjashme që Rusia ka ndërmarrë edhe në luftërat e tjera, përfshirë në Çeçeni.

 

“Operacionet e ‘filtrimit’ të presidentit Vladimir Putin janë për të ndarë familjet, për të konfiskuar pasaportat ukrainase dhe për të lëshuar pasaporta ruse në përpjekje për të ndryshuar demografinë në pjesë të Ukrainës”, tha ai.

 

Blinken tha se është e nevojshme që Rusia të mbahet përgjegjëse për këto veprime.

 

“Prandaj ne po mbështesim ukrainasit dhe përpjekjet e autoriteteve ndërkombëtare për të mbledhur, dokumentuar dhe ruajtur të dhënat e mizorive”, tha sekretari Blinken.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re