Ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Francës dolën me një deklaratë të përbashkët me rastin e 11-vjetorit të luftës civile në Siri.
Duke rikujtuar se sirianët dolën në rrugë 11 vjet më parë për të kërkuar liri, reforma politike dhe një qeveri që respekton të drejtat e njeriut, deklarata thekson se regjimi i Bashar al-Asadit iu përgjigj këtyre kërkesave me një sulm brutal ndaj popullit të tij që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Më tej thuhet se regjimi sirian dhe mbështetësit e tij janë përgjegjës për vdekjen dhe vuajtjet e një numri të madh njerëzish.
Deklarata më tej shton se tani është koha për të ndaluar sulmet brutale të regjimit të Asadit ndaj popullit të tij.
Duke rikujtuar se përvjetori i luftës në Siri përkoi me sulmin rus ndaj Ukrainës, deklarata tërheq vëmendjen për shkatërrimet e shkaktuara nga veprimet ruse në këto dy luftëra.
Ndër të tjera theksohet se pas më shumë se dhjetë vitesh konflikt, situata ekonomike dhe humanitare në Siri është shumë e vështirë. Në deklaratë thuhet se miliona refugjatë sirianë që kanë ikur në vendet fqinje, si dhe personat e zhvendosur brenda vendit, ende nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Deklarata bën thirrje për pjesëmarrjen e të gjitha palëve, përfshirë regjimin sirian, në një takim të Komitetit Kushtetues Sirian që do të mbahet në Gjenevë të Zvicrës më 21 mars.