Shtetet e Bashkuara njoftuan të dielën se do të dërgojë mjete shtesë ushtarake në Lindjen e Mesme, për shkak të druajtjeve se lufta mes Izraelit dhe Hamasit mund të përhapet në tërë rajonin.

 

Pentagoni tha se do ta çojë sistemin e mbrojtjes kundërajror të njohur si THAAD, bashkë me sistemin raketor tokë-ajër, Patriot, në Lindjen e Mesme.

 

Sistemi THAAD është i ndërtuar për të rrëzuar raketa balistike me rreze të shkurtra dhe të mesme veprimi pak para se ato të bien në tokë.

 

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha se trupa shtesë janë vënë, po ashtu, në gjendje gatishmërie për t’u zhvendosur në rajon, edhe pse nuk tregoi sa prej tyre.

 

Izraeli i vazhdoi bombardimet në Gazë edhe të dielën, duke i vrarë rreth 50 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

 

Ushtria e Izraelit kreu sulme ajrore edhe në shtetin fqinj, Siri, duke i vrarë dy civilë, sipas mediave shtetërore siriane.

 

Për më tepër, Izraeli tha se avionët e vet luftarakë i goditën caqet e Hezbollahut në Liban të shtunën dhe se njëri nga ushtarët e vet u godit nga një raketë anti-tanke gjatë luftimeve përgjatë kufirit ku u vranë gjashtë ushtarë të grupit të mbështetur nga Irani.

 

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, e paralajmëroi të shtunën kryeministrin në detyrë të Libanit, Najib Mikati, se libanezët do të prekën nga lufta nëse vendi i tij përfshihet në të.

 

Izraeli e nisi rrethimin e plotë të Gazës dhe bombardimet ndaj saj më 7 tetor, pasi militantët e Hamasit e kaluan kufirin dhe nisën sulmet e tërbuara në jug të Izraelit, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë.

 

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të shtunën se së paku 4.385 palestinezë janë vrarë, përfshirë qindra fëmijë, si pasojë e bombardimeve hakmarrëse izraelite në territorin e vogël me rreth 2.3 milionë banorë, gjysmë e të cilëve janë detyruar të zhvendosën nga veriu në jug të Gazës./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re