Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki tha se me SHBA-në është siguruar marrëveshje për centralin e energjisë bërthamore.

Në një postim nga llogaria e tij në Twitter, Morawiecki deklaroi se partneriteti mes SHBA-së dhe Polonisë do të sjellë sukses.

Ai foli për bisedën me sekretaren amerikane të Energjisë, Jennifer Granholm dhe tha se kanë arritur marrëveshje për centralin bërthamor me kompaninë “Westinghouse”.

Granholm tha se me Varshavën kanë arritur marrëveshje për pjesën e parë të projektit bërthamor në vlerë prej 40 miliardë dollarë.

“Projekti në fjalë do të sigurojë mundësi punësimi për më shumë se 100 mijë amerikanë”, theksoi Granholm e cila shtoi se ky projekt është i rëndësishëm për sigurinë e energjisë.

Ajo potencoi se marrëveshja për energjinë bërthamore është edhe një mesazh ndaj Rusisë. “Tashmë nuk mund të lejojmë që ta bëjnë armë energjinë. Teksa Perëndimi qëndron së bashku kundër këtij agresioni pa arsye, ai në të njëjtën kohë do të diversifikojë zinxhirët e tij të furnizimit me energji dhe do të forcojë bashkëpunimin për klimën”, tha Granholm.

Ministrja polake e Klimës dhe Mjedisit, Anna Moskwa tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e marrëveshjes për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe shtoi se “Aventura e re Poloni-SHBA fillon tani”.

Pritet që ndërtimi i centralit bërthamor të fillojë në vitin 2026 dhe që reaktori i parë të vihet në funksion në vitin 2033.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re