SHBA-ja është duke shtyrë Japoninë që të vendosë sanksione ekonomike ndaj Rusisë nëse ajo sulmon Ukrainën, sipas raportimeve të medias lokale.

Washington-i i ka kërkuar gjithashtu Tokios të shtojë kritikat e saj ndaj Rusisë, njoftoi Agjencia japoneze e Lajmeve Kyodo, duke cituar burime diplomatike të njohura me zhvillimet.

“Japonia, megjithatë, ka shtyrë përgjigjen e saj ndaj kërkesës së SHBA-së, nga frika e pasojave të mundshme në marrëdhëniet me Rusinë dhe çështjet dypalëshe, duke përfshirë një mosmarrëveshje të gjatë territoriale, në të cilën Tokio përpiqet të arrijë përparim”, thuhet në lajmin e agjencisë.

Rusia kohët e fundit ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.

SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar për një sulm të afërt dhe kanë kërcënuar Rusinë me “pasoja të rënda”, duke përfshirë sanksionet.

Moska ka mohuar se po përgatitet të pushtojë Ukrainën duke argumentuar se trupat e saj janë atje për stërvitje.

Sipas raportimit, kryeministri japonez Fumio Kishida i ka thënë presidentit amerikan Joe Biden në një takim virtual muajin e kaluar se Tokio do të ndërmarrë “veprim të fortë në përgjigje të çdo sulmi”.

Megjithatë, burimet thanë se Japonia “po përballet me një ekuilibrim të përshtatjes me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore dhe po përpiqet të mos prishë lidhjen me Moskën”, shton Kyodo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re